Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

11 martirët e familjes Asllani

 
   

Më 26 gusht të vitit 1998 11 anëtarë të familjes Asllani nga Raca e Shtimes u vranë në rimorkion e traktorit, që u godit nga predha e tankut serb. Të vetmit që kishin shpëtuar ishin Asllani me vëllanë e tij të cilët po vozitnin traktorin.

Rimoriko e traktorit tani është vetëm një relikt që ka mbetur nga lufta e fundit në Kosovë. Ndonëse kanë kaluar 25 vite, për Asllanin mbetjet e këtij mjeti thonë shumë.

Pas tre ditë luftimesh në gushtin e 98-ës, me traktor shkoi për të tërhequr familjen e tij nga malet e Racës. Por, gjatë rrugës, të gjithë këta ishin në shënjestër të forcave serbe. Këta të fundit, me një goditje me granatë shuan jetët e 11 anëtarëve të familjes Asllani.

E, në atë gjendje, nga malet e Racës, ushtarët e UÇK-së e dërguan Asllanin në spitalin ushtarak në Buzhalë të Suharekës.

Gjatë trajtimit mjekësor ai i rrëfeu ngjarjen mjekut të spitalit, por për këtë të fundit ishte e vështirë t’i besonte.

Kur ka fillu rrëfimin na s’i kemi besu, qysh ka mundësi 11 anëtarë me u vra për një minut. Ai thojke po me dorë tona i kemi mbledhë copat, copa s’kanë pasë çka me mbledhë. D.m.th copa të njerëzve; flokëve, t’kokës nëpër qese të najlonit edhe i kanë varrosë”, rrëfen Ibish Ahmeti, mjek i luftës, për tëvë1.

Rimoriko në të cilën humbën jetën 11 anëtarë të familjes Asllani, pasi u godit me granatë nga forcat serbe  

E në ndihmë të stafit mjekësor për Asllanin dolën edhe banoret e fshatit Buzhalë.

Jemi detyrue, ja kanë hek teshat jemi detyrue unë e kunata Valdetja kemi shkue e kemi një lum afër këtu, i kemi shpërla teshat. Pak ka qenë e vështirë për neve se ish gjaku i njerit e copa të mishit e, për neve ka qenë vështirë”, bën të ditur zonja e shtëpisë, Remize Buzhala.

Pavarësisht kësaj, nga fillimi e deri në fund, ai nuk u ndal në luftën për çlirimin e vendit.

E 20 vjet pas luftës, Asllani është bërë sërish prind, ndërsa binjakëve ua ka ripërtrirë emrat e martirëve, Ejup e Lumnije Asllanit.