Çokollata është një produkt ushqimor që ka për bazë kakaon. Përdoret si ushqim i pastër, apo për gatim në kuzhinë.
Çokollata ka një histori të gjatë dhe është e përhapur edhe në kulturat e tjera. Thuajse gjithmonë ka qenë ushqim i preferuar, por kohëve të fundit njihet si ushqim luksoz.
Çokollata përmban edhe vlera ushqyese si; proteina, yndyrna, vitaminë E, hekur, kafeinë si dhe bakër.
Çokollata përmban sasi të mëdha sheqeri, për këtë shkencëtarët rekomandojnë kujdes në konsumimin e saj. Megjithatë, ata theksojnë se njerëzit mund të reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj konsumit, për shkak të organizmit të ndryshëm.
Historia e Kakos dhe e Çokollatës
Bima e kakaos ka origjinë antike dhe sipas disa studimeve botanike mendohet se ka qenë e pranishme mbi 6.000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko.
Bujqit e parë që filluan ta kultivonin bimën e kakaos ishin majatë, rreth vitit 1000 para erës sonë. Tokat që shtrihen mes gadishullit Jukatan, Ciapasit dhe bregut paqësor të Guatemalës ishin të parët që panë fillimin e historisë së kakaos dhe bashkë me të, të çokollatës.
Më vonë majatët dhe astekët filluan kultivimin e kakaos dhe më vonë prodhimin e çokollatës.
Përveç përdorimit ceremonial, në Amerikë çokollata përdorej si pije. Më vonë, një tjetër mënyrë e përgatitjes ishte duke i shtuar çokollatës miell misri dhe mjaltë.
Ndërsa, farat e kakaos përdoreshin si monedhë dhe si njësi matëse.
Vetëm në vitin 1502 kakao u njoh nga qytetërimi evropian. Kristofor Kolombo gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë zbarkoi në Honduras ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje, në kthim mori me vete disa fara kakaoje për t’ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit. Vetëm me Hernando de Soto u arrit futja e kakaos në Evropë, ishte viti 1519.
Ngarkesa e parë e dokumentuar e çokollatës drejt Evropës udhëtoi mbi një anije nga Verakruzi në Sevilje më 1585. Çokollata shërbehej gjithmonë si pije, por evropianët dhe sidomos urdhrat e murgjve spanjollë, të cilët kishin një përvojë të gjatë me mishelat, i shtuan vaniljen dhe sheqerin për t’i hequr shijen e hidhur dhe ia hoqën piperin dhe specin djegës.
Gjatë gjithë viteve 500, çokollata mbeti një ekskluzivitet i Spanjës, e cila ia zgjeroi kultivimin. Vetëm në vitet 600, nëpërmjet Toskanës, kakao arriti në Itali me anë të tregtarit fiorentinas Antonio Carletti dhe më 1615 në gjithë Evropën.
Më pas, Brazili, Martinika dhe Filipinet e rritën kultivimin e kakaos dhe në të njëjtën kohë shumë qytete evropiane u shquan për përpunimin e çokollatës. Një shembull ishte Torino i cili kishte një prodhim prej 350 kg në ditë, pjesa me e madhe eksportohej në Austri, Zvicër, Gjermani dhe Francë, ku pak nga pak, përgatitja e pijeve të çokollatës u kthye në një pasion.
Në fund të shek. XVIII çokollata e parë e ngurtë siç e hamë sot u shpik në Torino nga Doret-i. Në 1802 Bozzelli shpiku një makineri për ta rafinuar brumin e kakaos e për ta përzier me sheqer e vanilje. Duhej të vinte viti 1820 që sistemi të vihej në punë, dhe kubi i parë i çokollatës u prodhua në Angli.
Në vitin 1826 Pierre Paul Caffarel filloi prodhimin e çokollatës në sasi të mëdha falë një makinerie të re, e cila mund të prodhonte mbi 300 kg çokollatë në ditë.
Shtojmë se, në vitin 1867 filluan të fusnin edhe qumështin si përbërës dhe nxorën në treg çokollatën me qumësht në vitin 1875.
Në 1946 Pietro Ferrero shpiku një krem me çokollatë dhe lajthi me qëllim për t’i shitur disa kile pastiçierëve: produkti pati një sukses shumë më të madh nga ç’pritej dhe disa vjet më vonë, në vitin 1964, u krijua çokokremi, i cili u bë i famshëm në të gjithë botën.
Theksojmë se Zvicra mbetet vendi që konsumon më së shumti çokollatën, madje edhe është e njohur për çokollatën e saj. Ndërsa vendet që e konsumojnë më pak janë ato aziatike dhe Kina.
Konsumi i çokollatës te ne mbetet shumë më i ulët në krahasim me shtetet e tjera, sidomos ato që janë të njohura për prodhimin e produktit të ëmbël.