155 persona humbën jetën në përmbytjet për shkak të shiut të dendur për disa javë në Tanzani dhe më shumë se 200 mijë persona u prekën nga pasojat e përmbytjeve, njoftuan autoritetet e këtij vendi të Afrikës Lindore.
Kjo më shumë se dyfishon numrin e vdekjeve të raportuara dy javë më parë dhe reshjet po rriten, veçanërisht në rajonin bregdetar dhe në kryeqytetin, Dar es Salaam.
Kryeministri Kasim Majaliwa u tha deputetëve se fenomeni klimatik El Nino – ngrohja e Oqeanit Paqësor, që prek të gjithë botën, e përkeqësoi situatën në sezonin e shirave, duke shkaktuar përmbytje dhe duke shkatërruar rrugë, ura dhe hekurudha. Ai tha se shirat e dendur kanë prekur më shumë se 51 mijë familje.
Shkollat janë përmbytur dhe shërbimet e urgjencës po shpëtojnë njerëzit nga uji në rritje. Përmbytje ka në Burundi dhe Kenia fqinje, si dhe vende të tjera të Afrikës Lindore kanë probleme për shkak të shiut të dendur.
Në Kenia, 35 persona janë raportuar të vdekur që nga e hëna, dhe ky numër pritet të rritet pasi përmbytjet kanë përfshirë të gjithë vendin. /REL/