Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

20 persona vdesin, përfshirë 6 foshnja të lindura para kohe në një spital në Gaza

Gjithsej 20 persona, mes të cilëve 6 foshnja të lindura para kohe, humbën jetën për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike dhe ndërprerjes së shërbimeve në spitalin Al Shifa në Gaza, i cili është i rrethuar nga ushtria izraelite dhe përjeton mungesë të karburantit, raporton Anadolu.

Drejtori i spitalit Mohamed Abu Slima në deklaratën për Anadolu tha se 7 pacientë nga kujdesi intensiv dhe shërbimet e tjera kanë ndërruar jetë dje për shkak të mungesës së mjeteve mjekësore dhe ndërprerjes së energjisë elektrike.

Duke shtuar se 6 foshnja të lindura para kohe dhe 9 të plagosur dhe pacientë në terapi intensive humbën jetën si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike në pajisjet jetike, Abu Slima tha se në spitalin e rrethuar para 3 ditësh nga ushtria izraelite deri më tani kanë humbur jetën 20 persona.

Ai tërhoqi vëmendjen se vdekjet kanë ndodhur për shkak se Izraeli nuk lejon hyrjen e karburantit, ndërsa në spital gjenden edhe 33 foshnja të lindur para kohe me rrezik jete.

Për pretendimet se 300 litra karburant të siguruar për spital janë refuzuar, drejtori i spitalit tha se janë “gënjeshtër dhe shpifje”, ndërsa për karburantin që Izraeli ka ofruar theksoi se “do të mjaftonte vetëm për të mundësuar që gjeneratorët e spitalit të punojnë vetëm 15 minuta”.

Ai tha se personeli mjekësor dhe administrativ në spital kanë frikë se do të shënjestrohen nëse merret në dorëzim kjo sasi e vogël karburanti. Abu Slima thekson se ata duan që karburanti t’i dërgohet spitalit nga Izraeli përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ose ndonjë organizate tjetër ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit Avichay Adraee, dje kishte pretenduar se ushtria izraelite i ka siguruar 300 litra karburant spitalit, por se Hamasi ka penguar marrjen e tij.

Ndërkohë, Hamasi përgënjeshtroi këto pretendime, duke njoftuar se nuk janë palë në menaxhmentin e spitalit Al Shifa dhe se nuk janë përfshirë në mekanizmin vendimmarrës.

Sipas Zyrës për media të qeverisë në Gaza, 22 nga 35 spitale në Gaza janë jofunksionale për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit që nga 7 tetori ose për shkak të mbarimit të karburantit.

Tags: