Pushuesit nga Kosova kanë ankesa në lidhje me cmimet që po paguajnë këtë vit me pushime në Shqipëri.
Teksa plazhet tona janë plot dhe vendi po përjeton një bum të madh të turistik, duket se për një shtresë njerëzisht pushimet janë bërë të papërballueshme. Të sapokthyer nga pushimet disa pushues kosovarë thonë për agjencinë e lajmeve kosovapress se në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit çmimet janë dyfish më të larta.
“Shtrenjtë është, në tjera vende është më lirë, në Ulqin është shumë më lirë… Unë nuk shkoj, sepse 30 euro është një ombrellë me marrë, kur me ato para mund të ushqehesh gjithë ditën me familje në ndonjë vend tjetër. Unë vjet kam qenë dhe nuk e kanë lejuar ombrellën që e kam pas me vete”- tha një pushues kosovar.
“Më shtrenjtë ka qenë, pesë ditë kam qenë dhe gati 500 euro i kam shpenzuar…Por, edhe ne vet pak e teprojmë me lluks…E padrejtë është, një pijë me alkool ka qenë 7 euro në restorant”- u shpreh një tjetër.
“Tash detin e bëjnë veç të shtunën dhe dielën, sepse mundësitë janë të vogla”, tha pushuesi.
Por për agjencitë turistike situata paraqitet e mirë. Janë shtuar klientët dhe cmimet nuk paraqiten kaq problematike sipas tyre, me kuotën 110 euro për person me të gjitha shpenzimet e përfshira.
“Interesimi i qytetarëve është relativisht i mirë. Interesimi më i madh është për Turqi, aty kemi Antaly dhe Bodrum. Por, kemi interesime edhe për Shqipërinë, Malin e Zi, kemi edhe për Egjiptin…Në Shqipëria kemi Vlorë, Sarandën, Durrësin, por më së shumti në Vlorë…Pra, interesimi këtë vit është më i madh se vitin e kaluar”- tha përfaqësuesja e agjenicisë turistike, Fetihe Sipahu.