Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

6 muaj burgim me kusht dhe 700 euro gjobë ndaj ish-këshilltarit të Fatmir Limajt

 
   

Ish-këshilltari politik i ish-zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj, Luan Maloku është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 700 euro gjobë për mosraportim të saktë të pasurisë.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të hënën, nga gjykatësi i rastit Eroll Gashi.

Maloku akuzohej se gjatë vitit 2019, nuk ka deklaruar saktë të hyrat dhe mëditjet si ish-këshilltar politik, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me burgim ndaj Malokut nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale.

“Kjo për arsye se në databazën e verifikimit të të kaluarës kriminale, i njëjti nuk është gjykuar asnjëherë për asnjë vepër penale”, tha tutje gjykatësi Gashi.

Ndaj tij u shqiptua edhe dënim me gjobë në shumë prej 700 euro, të cilin dënim i njëjti duhet ta paguajë në afat prej 15 ditëve pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Nëse i akuzuari refuzon apo nuk është në gjendje ta paguajë dënimin me gjobë, atëherë dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet në dënim me burgim duke iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.

I njëjti është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogariten nga gjykata, si dhe shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro të tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 9 mars 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Luan Maloku akuzohej se në cilësinë e ish-këshilltarit politik në zyrën e Kryeministrit të Kosovës, përkatësisht zëvendëskryeministrit ka vepruar në kundërshtim me nenin 5, paragrafin 1.1, të Ligjit për deklarim, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Maloku ka qenë i detyruar që ta deklarojë pasurinë  në Agjencinë Kundër Korrupsionit, përmes formularit për deklarimin e pasurisë, ashtu që me rastin  e deklarimit më 8 korrik 2020, për vitin paraprak 1 janar deri më 31 dhjetor 2019, nuk ka deklaruar saktë të hyrat dhe mëditjet si ish-këshilltar politik në shumën prej 15 mijë e 919 euro e 22 centë, ka deklaruar vetëm 6 mijë e 720 euro (560 euro në muaj), të cilën pagë dhe mëditje nuk e ka deklaruar në tërësi i akuzuari Maloku edhe pse ka qenë i detyruar ta deklarojë.

Me këtë, Maloku po akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”,  nga neni 430 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.