Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

604 mijë shqiptarë lanë atdheun

Janë 604 mijë shqiptarë që janë pajisur me pasaportë të një vendi të Bashkimit Europian në 20 vitet e fundit, sipas të dhënave të Eurostat, që i raporton shifrat nga viti 2002 dhe i ka përditësuar edhe për vitin 2022.

Numri më i lartë i shtetësive të dhëna ishte në 2016, me 67 mijë, i ndjekur nga 2017-a, me 59 mijë. Më pas u shënua një tendencë e qëndrueshme në rënie, deri në vitin 2022, kur pasaportat e dhëna për shtetasit shqiptarë nga shtetet e BE-së u rritën sërish.

Rritja e tyre përkon me valën e re të emigracionit që ka përfshirë vendin vitet e fundit, duke u kthyer në një shqetësim real për ekonominë vendase, si në tregun e punës ashtu dhe për tendencën e konsumit.

Shtetasit shqiptarë që kanë një pasaportë bëjnë rreth 22% të popullsisë që raportohet se jeton sot në Shqipëri, që është 2.76 milionë banorë, (INSTAT nuk i ka publikuar ende të dhënat e Censit të ri)./ Monitor