Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

75 muaj pas hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, konfirmohet aktakuza ndaj ministrit Sveçla

 
   

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës.

Ata ngarkohen për veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e marrë më 6 qershor 2024, me të cilin gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.

Gjykata Themelore ka konstatuar se provat janë marrë në harmoni me ligjin, aktakuza nuk përmban të meta të atilla që pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale dhe se përmban të gjitha elementet e nevojshme që të mund të procedohet në faza tjera.

“Andaj, gjykata konstaton se të gjitha provat dhe aktakuza është ngritur në harmoni me nenin 235 të KPPRK-së”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Mbrojtësi e të akuzuarit Sveçla, avokati Laur Prenaj, në kërkesën e parashtruar kishte kërkuar që aktakuza të hudhej me pretendimin se nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Po ashtu, ai ka pretenduar se vepra për të cilën akuzohet Sveçla nuk përmban elementet e veprës penale, pasi që sipas tij, nuk dihet se veprimet e të mbrojturit të tij me cilin ligj bien në kundërshtim, me ligjin për armë apo në kundërshtim me ligjin për materie plasëse.

Hedhjen poshtë të aktakuzës e kishin kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarës Pacolli-Dalipi, avokati Lavdrim Salihu, mbrojtësi i të akuzuarës Millaku avokati Labinot Buzuku dhe mbrojtësja e të akuzuarit Zyba, avokatja Laura Pnishi.

Sipas tyre, aktakuza nuk mbështetet në fakte dhe prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të mbrojturit e tyre kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë.