Studiuesit thonë që është e këshillueshme të ndajmë pakënaqësitë dhe ankesat tona me dikë tjetër por ky proces mund të na shërbejë nëse kemi përballë një person që na jep këshilla me vlerë dhe na ofron mbështetje emocionale duke na ndihmuar të ulim nivelin e inatit.
Përndryshe, ankesa mund të na e përkeqësojë gjendjen tonë emocionale. Për shumë vite, psikologët mendonin se ishte e shëndetshme që njerëzit t’i shprehnin inatet dhe ngarkesat emocionale me qëllim të shkarkoheshin nga ato emocione. Por, vrojtime në vitet e fundit tregojnë që një proces i tillë mund ta rrisë nivelin e inatit sepse njerëzit e ripërjetojnë ankthin apo ngarkesën negative emocionale sërish.
Kjo sjell një pasojë tjetër negative: një sjellje e tillë mund të kthehet në zakon dhe njerëzit mund ta përsërisin më shpesh. Për shembull, studentët që përjetuan trauma kur u shembën 2 kullat binjake në Amerikë, përjetuan ankth edhe 4 muaj pasi kishin shpjeguar në detaje emocionet e tyre, krahasuar me ata që nuk e bënë një gjë të tillë.
Të ankuarit dhe shprehja e inatit mund të ketë efekt negativ edhe tek njerëzit përreth nesh. Nëse duam të ankohemi për diçka, duhet të marrim parasysh që po ngarkojmë edhe të tjerët me emocione negative.
Një mënyrë e shëndetshme do të ishte që t’i kërkonim një personi të dashur që të na dëgjojë me vëmendje dhe të na japë perspektivën e tyre mbi situatën.