Disa nga pyetjet që raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon, ua bëri pjesëtarëve të Policisë së Kosovës gjatë detyrës së tyre pranë Komunës së Zveçanit, nxitën reagim tek opinioni në Kosovë.
Eksperti i sigurisë Drizan Shala, tha se eurodeputetja për një moment ka marrë rolin e komandantit taktit.
“Kjo është e paparanueshme nga zonja në fjalë [Viola Von Cramon] e cila nuk ka asnjë kompetencë qoftë mbi operacionin, qoftë mbi operatorët dhe pjestarët e tjerë të Policisë së Kosovës”.
Shala shpreh habinë se si ndodhi vizita e Von Cramon pikërisht në të njëjtën kohë me vizitën e politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviq.
“Çfarë koicidence që në momentin e vizitës nga Von Cramon në atë hapësirë qëndronte politikani prorus, Aleksandar Arsenijeviq, i cili hyri në debatin e nisur nga zonja në drejtim të zyrtarëve policorë”, tha ai.
Sipas tij, Zyra e BE-së do të duhej të jepte informacione rreth kësaj vizite.
“Do të duhej të jepte informacione se si rrjedhi e gjithë situata që zonja ka lëvizur pa informim të PK-së në atë hapsirë pavarësisht që për sigurinë e saj ishin përkujdesur pjestarët e EULEX-it”, tha ai.
Eksperti i sigurisë i ngriti edhe disa pyetje rreth vizitës së eurodeputetes në veri.
“A ishte e paralajmruar vizita e zonjës në fjalë në veri të vendit ? Kush është përkujdesur për sigurinë e saj me që ka hy në një zonë ku ka informacione për grupe kriminale që për qëllim dhe synim kanë sulmin ndaj objekteve të institucioneve të vendit? Kush i ka dhënë të drejtë zonjës që t’u afrohet operatorëve të Njësive Speciale pa biseduar paraprakisht më zyrën për media apo drejtpërdrejt më Drejtorin e Përgjithshëm?”, shtoi eksperti i sigurisë.
Drizan Shala shtoi se mund të ketë edhe presion nga faktori ndërkombëtar për largimin e Njësive Speciale nga veriu.
“Presioni i madh edhe nga ana e Borrelit në drejtim të sekretarit të NATO-s, që këta të fundit të marrin masa radikale duke tentuar që të pengojnë operatorët e Njësive Speciale që të mos të jenë në veri të vendit për të mos krijuar tensione sipas përceptimit të faktorit ndërkombetar”, tha Shala.