Sot në mëngjes nga disa media u raportua se ka një marrëveshje në mes të Listës Serbe dhe KFOR-it për të tërhequr njësinë speciale të Policisë së Kosovës nga objekti komunal i Zveçanit.
Të paktën kështu pretendoi Dragan Nedeljkoviq, gjatë një prononcimi për media.
Ai po ashtu theksoi se ka pasur negociata me KFOR-in edhe për lirimin e të arrestuarve serbë.
Por, kjo u mohua nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Zëdhënësja e kësaj ministrie Nora Fetoshi, tha për Klankosova.tv se nuk ka marrëveshje as për lirimin e të burgosurve.
“Lajmi për arritjen e marrëveshjes mes KFOR-it dhe protestuesve, nuk është i vërtet. Nuk ka asnjë marrëveshje as për tërheqjen e trupave dhe as për lirimin e të burgosurve”, tha Fetoshi
Lidhur me këtë Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me KFOR-in dhe është në pritje të një përgjigje.
Pesë protestues serbë janë arrestuar gjatë ditës së djeshme për shkak të dhunës së përdorur ndaj ushtarëve të KFOR-it.
Tre nga ta janë liruar në procedurë të rregullt.