Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lista e ndëshkimeve që Hovenier shpalli sot

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, sot foli haptas për mosmarrëveshjet me Qeverinë e Kosovës. Për shkak të vendimit të Qeverisë për t’i çuar me forcë në zyra Kryetarët shqiptarë në Veri, SHBA ka vendosur t’i marrë disa masa ndëshkuese. Hovenier ka bërë me dije se Kosova s’është më pjesë e e stërvitjeve “Defender 2023”, SHBA s’ka vullnet t’i ndihmojë Kosovës ndërkombëtarisht e po ashtu as për t’u takuar me udhëheqës kosovarë.

“Shtëpinë e keni në flakë”, ka thënë sot ambasadori Hovenier, i cili nuk kishte zgjedhur gjuhën diplomatike për t’u treguar kosovarëve se ku i solli, sipas tij, Qeveria me vendimet e saj.

Ai e nisi një bisedë me gazetarët sot në Prishtinë, duke komentuar zhvillimet që nisë të premten në tri komunat veriore, në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Hovenier fillimisht tha se kriza në të cilën gjendet sot Kosova “nga perspektiva e Amerikës ishte e panevojshme”.

Sipas Hovenierit, Kurti vendosi që pa u koordinuar me SHBA-në të fuste kryetarët e rinj shqiptarë në objektet e komunave me shumicë serbe.

Në këto rrethana, Hovenier tregoi se SHBA-ja i ka parashtruar Kryeministrit Kurti dy kërkesa.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, ka thënë Hovenier.

“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha tutje ai.

Pasi Kurti, sipas ambasadorit, nuk u përgjigj në këto kërkesa, është marrë masa e parë “ndëshkuese” e SHBA-së, ndaj Kosovës. Forcës së Sigurisë së Kosovës i është anuluar pjesëmarrja në stërvitjet e përbashkëta me NATO-n, “Defender Europe ‘23”.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”, ka thënë diplomati amerikan.

Kjo është vetëm masa fillestare, tha Hovenier, duke çuar raportet e Kosovës me SHBA-në në një nivel që nuk kishin qenë asnjëherë më parë.

Qeveria Kurti i kishte përplasje me Administratën Trump në vitin 2020, por Kosovës nuk i ishin shqiptuar masa ndëshkuese nga ajo që e konsideron aleaten kryesore.

Tutje, Hovenier tha se në rrethanat e tanishme, SHBA-ja nuk ka entuziazëm për të punuar për interesa të Kosovës, për ta ndihmuar atë për integrim në organizatat ndërkombëtare dhe për të marrë njohje nga shtetet mosnjohëse.

“Më duhet të them se në këtë moment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha Hovenier.

Një tjetër ‘ndëshkim’ me të cilin mund të përballen liderët kosovarë është refuzimi i zyrtarëve të lartë amerikanë për t’i takuar. Këtë e tha sot Hovenier.

“Do të befasoheshim sikur në rrethanat e tanishme do të kishte gatishmëri për takime të zyrtarëve të lartë, edhe nga SHBA-ja në Kosovë, edhe anasjelltas”.

Për këtë situatë që është krijuar, ambasadori Hovenier e mban përgjegjëse Qeverinë. Kur pyetët nëse Presidentja Vjosa Osmani, është pjesë e politikave qeveritare, nëse Kurti dhe Osmani punojnë si ekip, ambasadori Hovenier, ka thënë se nuk i takon të flasë për këto dinamika brenda institucioneve.

Megjithatë, Hovenier ka përmendur se Osmani e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara. “Besoj se kjo është diçka që ajo e trajton me seriozitet”, tha ambasadori.

Diplomati amerikan në Prishtinë akoma shpreson që Kurti do të marrë parasysh atë që ai e quan “këshillë” të SHBA-së, për t’i tërhequr veprimet në veri të vendit.

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”.

Që nga e premtja, zyrtarë serbë kanë folur për zhvendosje të ushtrisë afër kufirit me Kosovën. Hovenier ka thënë sot se nuk është shenjë e mirë kur vendet fqinje i mobilzojnë forcat e tyre dhe është kthyer prapë të veprimet e Qeverisë së Kosovës.

“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, prandaj po kërkojmë që ato të adresohen”.

Ndonëse i ka dënuar sulmet e protestuesve ndaj ushtarëve të KFOR-it, Hovenier ka shtuar se fakti që trupat gjendeshin aty, kishte burimin të vendimi i Kurtit.

“..por kjo nuk e mohon faktin që arsye se pse ushtarët kanë qenë aty, për ta ruajtur paqen në atë skenar, ka qenë vendimi i marrë nga Kurti për të tentuar që të sigurojë qasje në tri ndërtesat komunale, përmes forcës. Ky është vendimi që duhet të adresohet sa u përket uljes të tensioneve, dhe ne po kërkojmë diçka të tillë”.

Këto që ua ka thënë sot gazetarëve, ambasadori amerikan, thotë t’ia ketë thënë fillimisht Kryeministrit Kurti.

“Ne jemi këtu, së bashku, që unë të theksoj sa serioze është situata, dhe i kam thënë edhe kryeministrit sa serioze është”, tha Hovenier.

SHBA-ja e ka dënuar vendimin e Qeverisë të premten, kur përmes njësisë speciale të Policisë së Kosovës, tre kryetarët e rinj u futën në objektet komunale të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Dënimit të SHBA-së i janë bashkëngjitur edhe shtetet e tjera perëndimore, që konsiderohen aleate të Kosovës.

Por, Qeveria nuk është tërhequr dhe protestat kanë vazhduar edhe të hënën. Para objekteve të komunave, mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve kishin hyrë forcat e KFOR-it. Të hënë pati tensione në Zveçan, ku u lënduar 30 ushtarë të KFOR-it nga përplasja me protestuesit.

Të martën, protestat kanë vazhduar me incidente, kryesisht me sulme ndaj ekipeve mediale, por nuk ka pasur përplasje mes forcave të rendit dhe pjesëmarrësve në protesta.

por, a ka kohë shtesë për Kurtin?

“Nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga ana e SHBA-së në raport me pritjet tona për qeverinë që të ndërmarrë veprime për të depërshkallëzuar situatën në veri” shprehet Hovenier.