Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka bërë të ditur se menjëherë pas luftës, në vitin 1999 ishte rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Kosovës.
Sheholli tha se në takim ishte thirrur nga Elmi Reçica e Latif Gashi, të cilët i quajti njerëzit kryesor të ShIK-ut, ku detyrë kishte që të shkonte në Beograd.
“Unë po ua them një praktik timen. Në vitin 1999, menjëherë pas luftës kam pasur ftesë prej ShIK-ut, ishte një ftesë shumë miqësore por isha i ftuar si njohës i marrëdhënieve shqiptaro-serbe”.
“Dhe, unë e kam pranuar me plot krenari që të bashkëpunojë për ta. Ka qenë Elmi Reçica dhe Latif Gashi, njerëzit kryesor të ShIK-ut dhe unë kam marrë detyra prej tyre që të shkojë në Beograd e të shoh për çështje të ndryshme që kishin të bëjnë në atë periudhë”, është shprehur Sheholli në Rubikon.
Nga kjo deklaratë, lindin pikëpyetje të mëdha, siç është ajo, se si është e mundur që një person që ka punuar për Sigurimin shtetëror serb të ishte edhe bashkëpunëtor i SHIK-ut.
Se çka do të thotë ky fakt për organizatën e SHIK-ut për gazetën “Bota sot” folën Nexhat Haziri dhe Xhevat Dajaku.
Dajaku: Shërbimi fantom i SHIK-ut dihej kujt i raportonte dhe kundër kujt punonte
Xhevat Dajaku
Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut, i cili ishte njëri nga viktimat e vrasjeve politike, komentoi deklaratën e drejtorit të Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike.
Ai hodhi dyshime mbi Shehollin dhe pretendimet e tij si bashkëpunëtor i LDK-së, duke përmendur zbulimin e një plani sekret të LDK-së.
“Zotri Sheholli, sipas rrëfimeve të tij ishte bashkëpunëtor i UDB-së, punonjës i masave të dhunshme pas braktisjeve të shqiptarëve nga institucionet e atëhershme, e tjera gjëra shumë të paqarta e plotë dyshime. Si pretendimi i tij si bashkëpunëtor me disa elemente në LDK, ku Rugova dhe LDK e kishin një politike të hapur dhe transparente.
Një gjë u mundua LDK ta bëj në mënyrë diskrete e kjo ishte organizimi i mbrojtjes territoriale si parakusht për një organizim të një rezistence luftarake për mbrojtjen dhe çlirimin e vendit në një moment të caktuar, por kjo nismë ra menjëherë në veshin e shërbimit serb, ku u kapen, burgosen e u ndoqën personat e emëruar për një gjë shumë të rëndësishme për fatin e vendit tonë dhe të njerëzve tanë!.. Për këtë gjë tani mund të themi se e kemi një pikë referente se kah mundemi ta drejtojmë gishtin e akuzës!...”, u shpreh Dajaku.
Sipas tij, deklaratën e lartpërmendur e vërteton edhe një deklarimi i Jakup Krasniqit, të cilin e bëri vite më parë, por që tani nuk mund të gjendet në internet pasi është larguar.
“Për t’u vërtetuar ajo që thashë më lartë, shërbimi fantom i SHIK-ut që dihej kujt i raportonte dhe kundër kujt punonte që për një gjë të tillë ekziston edhe një intervistë e zotërit Jakup Krasniqi, tashmë i dyshuar për krime mbi vendasit e vet së bashku me të tjerë që ndodhën në Hagë, ku njeri prej tyre është pikërisht ish-shefi i organizatës fantome të SHIK-ut.
Z. Krasniqi thoshte kështu: z. Thaçi dhe z. Veseli duhet që t’i kërkojnë falje familjes Rugova, LDK-së dhe elektoratit të saj, si dhe popullit në përgjithësi që bënë përçarje dhe pikërisht ishin këta dy që nuk e lanë që të bashkohet faktori ushtarako-politik i Kosovës, këto ishin fjalët e z. Krasniqi ku ajo intervistë është larguar nga interneti por gazeta Bota Sot dhe të tjera besoj se duhet që ta kenë në arkivat e tyre”, theksoi ai.
Më tej, Dajaku foli për rekrutimin e SHehollit në SHIK, ku shpalosi edhe disa dyshime të tij, derisa përmendi edhe UDB-në.
“Pra rekrutimi i z. Sheholli në SHIK nuk do ishte gabim, sikur kjo organizatë të ishte e mirëfilltë kombëtare, sepse shërbimet funksionojnë në forma të ndryshme edhe me agjent të dyfishtë, por UDB-ja ishte një ndër shërbimet më të forta në Kosovë sepse kishte shumë bashkëpunëtor d.m.th. ajo dinte çdo gjë apo dinte më shumë se vet ne. Tash ta rekreutosh një agjent të tyre dhe ta dërgosh me i gjurmu ata në bazë është qesharake, një agjent i cili s’besoj që ka qenë më shumë se një informator”.
Në fund, ai tha se në rast se Sheolli të ishte pjesë e LDK-së, do u bënin reagime të mëdha, duke sharë e duke vjell çdo të zezë mbi këtë parti.
“Nëse vërtet po na lidhen gjërat dyshoj që SHIK-u ka gisht edhe në trazirat e 2004, ku ato trazira e thyen namin e mirë të vendit tonë dhe Serbia filloi të pozicionohet në pozita të favorshme për të, ku edhe sot e kësaj dite është duke u favorizuar pikërisht prej dëmeve që ia kanë sjellë mu ai shërbim fantom, me rekrut fantom që po na mbajnë ligjërata pa iu tremb qerpiku fare, vetëm të ishte tipi në LDK do të bëhej hataja duke sharë e duke vjell çdo të zezë mbi atë parti e mbi elektoratin e saj!…
Nëse mendon dikush se SHIK-u ishte shërbim inteligjent kombëtar, atëherë me siguri ky shërbim do të ndihmonte në zbardhjen e qindra vrasjeve enigmatike që janë bërë gjatë luftës dhe pas saj në vendin tonë. Nëse SHIK-u nuk di asgjë për këto vrasje atëherë ishte një organizata shumë e dobët si shoqatë gjuetarësh, e nëse di dhe ka heshtur atëherë ajo organizatë fantome ka gisht dhe është drejtpërdrejt e kyçur në ato vrasje enigmatike!!!”, përfundoi Xhevat Dajaku për “Bota sot”.
Haziri: SHIK i ka shërbyer vetëm një grupi politikanësh të caktuar për ambiciet e tyre për tu ngjitur në pushtet, dhe jo për interesa të Kosovës
Kurse, për analistin Nexhat Haziri, deklarata e Sheollit ishte diçka e pritshme.
Nexhat Haziri
Sipas tij SHIK i ka shërbyer vetëm një grupi të caktuar, për t’i ndihmuar për të ardhur në pushtet.
“Nuk është diçka e papritur apo që nuk është ditur deklarata e Fatmir Shehollit, se ai pas luftës është rekrutuar nga SHIK. Kjo organizatë siç e kemi thënë edhe më parë, i ka shërbyer vetëm një grupi politikanësh të caktuar për ambiciet e tyre për tu ngjitur në pushtet, dhe jo për interesa të Kosovës. Dhe në këtë drejtim unë e shoh edhe bashkëpunimin e tyre me z. Sheholli, që siç dihet ai njihet edhe si bashkëpunëtor i shërbimit serb, dhe kjo nuk është se po zbuloj diçka sezancionale”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, analisti nuk tha shumë fjalë të mira për SHIK, ku e cilësoi si organizatë kriminale, që u përfshi në vrasjet politike të pasluftës.
“Ndërsa SHIK-u vazhdon të shihet si një organizatë kriminale, e përfshirë edhe në vrasjen e kundërshtarëve politik, pra oponentëve politikë të PDK-së, siç ishte LDK-ja. Së fundi, vet deklarata e z. Fatmir Sheholli, një ish sigurimsi të shtetit serb, që është rekrutuar nga SHIK-u, është tregues i qartë se sa e dyshimtë është edhe vet organizata e SHIK-ut”, përfundoi Nexhat Haziri për “Bota sot”.