Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mocioni për rrëzimin e Kurtit, Haradinajt i vinë kundërshtimet e mëdha: Skandal e shërbim i hapur ndaj Vuçiqit

Në kulmin e tensioneve në veri të Kosovës, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se do të nis një mocion për rrëzimin e Albin Kurtit nga posti i kryeministrit.

Haradinaj e ka fajësuar Kurtin për rrezikim të sigurisë së vendit dhe sovranitetit në veri, duke thënë se po nxitë konflikt në këtë zonë, duke iu përshtatur interesave të Rusisë.

“I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, deri te sanksionet e SHBA-së ndaj Kosovës. Do të filloj konsultimet me spektrin politik në përgjithësi dhe besojmë se mocioni është zgjidhja në këtë situatë. Do të angazhohemi që ta sqarojmë para qytetarëve se Kurti është përgjegjës për rrezikimin e sigurisë së vendit dhe sovranitetin në veri. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunojë me SHBA-në në planin e tyre të integrimit, ka vazhduar me plan të vetin për të nxitur konflikt, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën, duke vazhduar ta nxisë një konflikt në veri që është në interes të Putinit dhe Rusisë. Ajo që po ashtu e bën këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurtit që në emër të Kosovës t’i drejtohet përmes mediave Blinkenit me atë fjalor. Kurti ka shkuar në ekstrem me një komunikim fyes për aleati tonë kryesor të sigurisë, pa të cilin edhe sot gjendja në veri është e keqe”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Shkuarja në zgjedhje, goditje për Kosovën 

 Image Luan Gacaferi 

 Por paralajmërimin e Haradinajt për mocion mosbesimi ndaj Kurtit, po e sheh si të pa realizueshëm Luan Gacaferi, anëtar i kryesisë së partisë Guxo, e cila është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në qeveri. 

Shikuar në aspektin e interesit shtetërorë, shkuarja në zgjedhje tani dhe në këto qaste dramatike qe po kalon Kosova do ishte një goditje e madhe për Kosovën dhe reputacionin e saj në botë, sepse më të drejtë shumë kush do thoshte se shqiptarët e Kosovës e kanë interes vetëm pushtetin e kurrë jo interes shtetin”, shprehet Gacaferi,

“Tani sa i përket Haradinajt dhe AAK-së, unë jam i bindur se nëse dikush do digjej nga shkuarja në zgjedhje të parakohshme do jetë vetë Haradinaj dhe AAK! Unë shpresoj se Haradinaj do i del shpejt ç’pija nga “çaj rusë” e t’i kthehet të menduarit logjik! Sidoqoftë “bojleri” i Fatmir Limajt ka vend edhe për AAK e ndoshta edhe për LDK e PDK, ku i dihet”, deklaron Gacaferi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se në rast të shkuarjes në zgjedhje të reja, Vetëvendosje bashkë me Guxo, do të dalin fitues absolut.

“Shikuar në aspektin e ngushtë partiak, shkuarja në zgjedhje të parakohshme për VV e Guxo do ishte më e mira e mundshme qe mund t’i ndodh, sepse besimi i qytetarëve për VV Guxo kalon çdo imagjinatë njerëzore! Pra përkthyer në shifra me shumë gjasë do kalonte edhe 80%-shin!”, thekson anëtari i kryesisë së Guxo, Luan Gacaferi.

Fundi i Haradinajt

 Image Gani Qarri 

Kurse analisti politik, Gani Qarri thotë se karriera politike e Ramush Haradinajt është drejt fundit.

“Në fakt autori i harakireve politike, Ramush Haradinaj, karriera e të cilit tanimë duket se është para përfundimit, edhe në fundmarsin e vitit 2020, kërkonte mocion për rrëzimin e Kurtit nga pushteti, me arsyetimin se ka rrezikuar marrëdhëniet me SHBA-të. Madje Haradinaj ishte i pari që asokohe u takua me Isa Mustafën për organizimin e mocionit klandestin kundër Qeverisë Kurti 1, siç kërkon edhe tani që Albin Kurti të largohet nga qeverisja me arsyetimin banal se kinse ai paraqet rrezik për vendin dhe shpresën se ndonjë Grenell i ri, serish do tu vije në ndihmë që të formojnë qeveri “a-la PAN” me “listën serbe” dhe Goran Rakiqin!”, thotë Qarri,

Sipas tij, është e çuditshme se si shumë njerëz në Kosovë janë vendosur në shërbim të Serbisë, në kulmin e tensioneve në veri të Kosovës.

“E për të arritur kulmin dashakeqësia ndaj shtetit e popullit të shumëvuajtur të Kosovës, turbullimin e mendjes e ndjesive të qytetarëve të sinqertë dhe armiqësimin e tyre, jo me Serbinë fashiste por me Qeverinë e vendit tonë, lufta speciale e SHIK-ut dhe degëve të BIA-së në Kosovë, veçanërisht këto ditë të trazuara politike, ka kapur majat e Ajsbergut duke u futur plotësisht në shërbim të shtetit okupator serb dhe vendosur përsëri kundër shtetit tonë të brishtë, bashkë me argatët e përbetuar shqipfolës të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit në Prishtinë dhe gjithandej Kosovës”, shprehet Qarri.

“Madje opozita e inkriminuar e cila është përgjegjëse për gjendjen e krijuar, në vend që këto ditë të vështira nëpër të cilat po kalon shteti ynë i ri të tregohej më konstruktive edhe pse veprimet e ndërmarra nga Qeveria erdhën në kundërpërgjigje ndaj bandave kriminale dhe për ruajtjen e sovranitetit të shtetit, çmenduria e saj shkon deri atje sa që serish të ngritë mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit dhe Qeverisë së një partie politike, e cila në zgjedhje e vetme ka mundur të gjitha partitë tjera dhe ka marrë mbi 51% të votave të qytetarëve të Kosovës”, shpjegon Qarri.

Më tej, ai thotë se paralajmërimi i Haradinajt për mocionin ndaj Kurtit, do të mbetet vetëm një nismë e dështuar.

“Ndaj mjerimi vërtetë nuk ka kufi, kur sheh se si pikërisht njerëzit më të pafytyrë, turpet dhe tradhtitë e të cilëve ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, nuk mund t’i laj drini as deti, ata që kurrë nuk arritën të krijonin qeveri pa dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, “listën serbe” dhe zëvendëskryeministër të parë të Republikës së Kosovës, e bënë Goran Rakiqin, tani na flasin për moral të vetin “të lartë” dhe pafytyrësi kinse të Albin Kurtit, vetëm pse ai si kryeministër i Kosovës, i drejtohet përmes mediave sekretarit amerikan në emër të saj. Megjithatë autori i harakireve politike, Ramush Haradinaj paralajmëron mocion për rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti, që nuk do të jetë asgjë më shumë se edhe një nismë e dështuar me turp e tij dhe e AAK-së”, shprehet Qarri, i cili e sheh skandaloze qasjen e Haradinajt karshi qeverisë.

“Duke pasur parasysh faljen e mbi 8300 hektarëve tokë autoktone të Kosovës bashkë me Kullën, Zhlebin dhe Çakorrin Malit të Zi, në mënyrë që Haradinaj të mund të qëndronte vetëm disa muaj në karrigen e kryeministrit, është jo vetëm absurde por edhe tërësisht skandaloze që mu në këto çaste të trazuara që po kalon Kosova, Haradinaj të kërkojë rrëzimin e Qeverisë Kurti. Akt që nuk e ka kërkuar as vet SHBA, përkundër mospajtimeve të vogla, që për momentin kanë dalë në sipërfaqe, ndërmjet kryeministrit Kurti dhe sekretarit Blinken, shkaku i ndryshimit në mendime, për qasjen aktuale në veri dhe rivendosjen e rendit e të ligjit në këtë pjesë legjitime të Republikës së Kosovës”, nënvizon Qarri.

“Synimi Donkishotesk i Haradinajt për rrëzimin e Qeverisë Kurti, në këto momente kaotike, jo vetëm që është tërësisht i pamundur të arrihet nga një autobus me simpatizantë që ai mund t’i ketë, por edhe skandal më vete si dhe një shërbim i hapur ndaj kriminelit Vuçiq dhe Serbisë fashiste, që jo vetëm se nuk do duhej të ndodhte, por edhe duhet dënuar sa më ashpër publikisht nga shqiptarët, akt i cili do të bëjë që AAK në zgjedhjet e ardhshme, përfundimisht të bie nën pragun zgjedhor dhe të mos zgjohet më, por t’i bashkohet Fatmir Limës në tregimin e fabulave aventureske mbi kohërat e “arta” politike, që kuptohet se nuk i kanë shënuar as përjetuar gjatë ata, por të tjerët”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.