Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përsëritet konkursi për guvernator

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), të martën ka përsëritur konkursin për guvernator të ri i cili do të jetë i hapur deri më 21 qershor 2023.

Pas dështimit të përzgjedhjes së guvernatorit nga Kuvendi i Kosovës, procesi kthehet në pikën zero, dhe BQK-ja për herë të dytë ka shpallur konkursin për këtë pozitë.

Sipas njoftimit të BQK-së, emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar nga data e emërimit.

Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të përzgjedhë një individ. Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti/ja i/e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në publikimin e fundit të BQK-së.

Ndryshe, procesi i përzgjedhjes së guvernatorit kishte ngecur në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, i cili kishte kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që ta kthej këtë proces në pikën zero.

Ditë më parë edhe shoqëria civile në vend është shprehur e shqetësuar me prolongimin e emërimit të guvernatorit të ri në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Për konkursin e parë deri më 16 dhjetor 2022 ka qenë afati i fundit për aplikim për të gjithë atë që kanë synuar këtë pozitë.

Fillimisht për të qenë në krye të BQK-së kishin aplikuar 11 persona, përfshirë edhe ish-guvernatorin Fehmi Mehmeti.

Përveç tij, për ta drejtuar institucionin më të lartë financiar kanë qenë në garë edhe Nexhat Kryeziu, Shkëndije Himaj, Emanuel Bajra, Mentor Nimani, Bezad Halilaj, Artan Ajazaj, Valdrin Krasniqi, Mentor Geci, Genc Rraci dhe Ardian Uka.

Prej tyre, për këtë pozitë u patën kualifikuar katër kandidatë: Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli dhe Shkëndije Himaj.

Guvernatorit Fehmi Mehmeti i zgjedhur më 15 mars të vitit 2018 i kishte mbaruar mandati më 28 mars të vitit 2023.

Ndërsa, prej 29 marsit, Bashkim Nurboja është emëruar ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së.