Situata në veri si duket ka tensionuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës. Këta të fundit, kanë filluar të bëjnë presion ndoshta edhe të papërballueshëm, duke dhënë edhe ultimatume për të shtensionuar situatën..
Për situatën në veri, SHBA dhe BE fajtore kryesore kanë lënë Kosovën, megjithëse nga ana tjetër kryeministri Albin Kurti ka thënë se është duke zbatuar ligjin e shtetit të Kosovës në çdo pjesë të saj.
I ashpër u tregua dje i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili në një deklaratë ka thënë se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por shtoi se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi” – duke aluduar te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne – ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, kishte thënë Escobar gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Elezaj: Deklarata e Escobarit ishte mjaft shqetësuese, dëshpëruese dhe tepër e rëndë për një kryeministër të Kosovës
Rexhep Elezaj
Analisti Rexhep Elezaj në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se deklarata e Escobarit ishte shqetësuese dhe e rëndë për një kryeministër të Kosovës, por shton se Kurti siç duket, diku dhe me “diçka” i ka zemëruar dhe prekur në “tel” miqtë tanë amerikanë.
“Ajo çfarë tha në Prishtinë i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin perëndimor, z. G. Escobar, për kryeministrin Albin Kurti, për mua, por besoj edhe për gjithë shqiptarët që e duan Amerikën, ishte mjaft shqetësuese, dëshpëruese dhe tepër e rëndë për një kryeministër të Kosovës, i cili siç duket, diku dhe me “diçka” i ka zëmëruar dhe prekur në tel miqtë tanë amerikanë, të cilët siç po na thonë, mospajtimin e kanë me kryeministrin Kurti, dhe jo me popullin më pro-amerikan në botë, siç jemi ne shqiptarët e Kosovës.
Unë, dua të besoj, se mos-koordinimi i kryeministrit Kurti me miqtë amerikan lidhur dërgimin dhe futjen e 3 kryetarëve në ndërtesat komunale në veri me ndihmën e policisë tonë, nuk do duhej të ishte shkaku kryesor që miqtë amerikan i ka bërë të preken kaq shumë në sedër, ngase gabimi edhe mund të falet, por ajo që z. Escobar e tha dje para gazetarëve në ambasadën amerikane në Prishtinë ndaj kryeministrit Kurti, më duket se i tejkalon përmasat e një hidhërimi amerikan ndaj tij. Për faktin, ngase që nga deklarata e ashpër e sekretarit të shtetit amerikan, z. Antony Blinken (31.05.2023) ndaj qeverisë së Kosovës dhe përjashtimi i ushtarëve të FSK-së nga ushtrimet e NATO-s “Defender Europ-2023”, nuk kemi lexuar që kryeministri Kurti të ketë reflektuar ndaj qëndrimeve ndëshkuese si dhe kërkesave amerikane ndaj tij dhe Kosovës..!?
Andaj, mendoj se këtu duhet theksuar dyshimin real, se në ndëshkimin amerikan ndaj Kosovës si dhe në qëndrimet e tyre kaq të ashpra ndaj një mos përfilljeje kaq të vogël të kryeministrit Kurti ndaj tyre, mund të ketë pasur gisht dhe ndikim lobimi diplomatik serb në Amerikë kundër tij dhe Kosovës, si gjithnjë me qëllimin më djallëzor që t’i prishë me çdo kusht marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën, fakt të cilin nuk duhet përjashtuar në asnjë rrethanë!”, thotë ai.
Ai deklarata e Escobarit i sheh më shumë si ultimatum që ose të ndërron politikën ose të largohet nga posti që e mban, “ngase nuk është më i mirë se ardhur si partner për amerikanët”.
“Por, nëse i përkthejmë në gjuhën real-politike deklaratat e z. Escobar në Prishtinë, ato nuk ka qenë vetëm presion ndaj kryeministrit Kurti që të jap dorëheqje, veçse ultimatum i qartë ndaj tij; o ta ndërron kursin e tij politik ndaj SHBA-ve, siç dihet që moti i etiketuar si antiamerikan, o të largohet nga posti që e mban, “ngase nuk është më i mirë se ardhur si partner për amerikanët”..!
Pra, ky ka qenë sipas mendimit tim, mesazhi që z. Escobar ia ka dërguar sot hapur kryeministrit Kurti, ndaj të cilit mesazh, për fat të keq, ai ende nuk ka bërë ndonjë reagim publik”, dekalron Elezaj.
Derisa për raportin e Kurtit me SHBA, analisti thotë se më së miri po e tregon kokëfortësia e tij, që sipas amerikanëve në situatën që gjendemi Kurti “është fajtori kryesor”.
“Në pyetjen tuaj, se si vlerësohet qëndrimi aktual i kryeministrit Kurti ndaj SHBA-ve, për këtë më së miri flet qëndrimi i tij me “kokëfortësi” ndaj kërkesave dhe qëndrimeve amerikane kundrejt situatës në veri të Kosovës, i cili, gjithnjë sipas vlerësimit amerikan, “është fajtori kryesor” për tensionimin e gjendjes në veri, por nga i cili kanë pritur reflektim dhe përgjigje pozitive, të cilat nga ana e tij deri në këto çaste (e martë, ora 21:30) nuk po duken askund në horizont”, përfundon Rexhep Elezaj për “Bota sot”.
Mehmeti: Të dy palët po luajnë lojë shahu, cili është më strateg do të dalë fitues
Faton Mehmeti
Analisti Faton Mehmeti për “Bota sot” ka thënë se Kurti i ka bërë të ditura qëndrimet e veta në raport me themelimin e Asociacionit, duke shtuar Kurti nuk lëshon pe, por që edhe presioni amerikan është rritur me të madhe.
“Sigurisht se po përdorën të gjitha taktikat dhe mënyrat për të bindur kryeministrin Kurti për të pranojë Asociacion dhe tërheqjen nga shtrirja e sovranitetit në veri. Qëndrimi i Kurtit është tanimë i ditur, nuk dorëzohet kaq kollaj nga qëndrimet e veta.
Të dy palët po luajnë lojë shahu, cili është më strateg do të dalë fitues. Dihet se Kurti nuk lëshon pe lehtë, në anën tjetër preisoni amerikan është i madh”, përmbylli analisti Mehmeti.