Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KQZ-ja mban mbledhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur të enjten në mesditë, por ky institucion nuk ka diskutuar për zgjedhjet e mundshme që po përmenden se duhet të mbahen në katër komunat e veriut të Kosovës.
Ky institucion vetëm para pak kohësh ka përmbyllur procesin zgjedhor në këto komuna, por ngjarjet e fundit në këtë pjesë të Kosovës dhe ngritja e tensioneve, kanë rikthyer çështjen e zgjedhjeve të reja në këto komuna.

Ditë më parë, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se “KQZ-ja si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”.

Ndërkohë, po në këtë mbledhje, KQZ-ja diskutoi shkurt edhe për plotësimin dhe ndryshimit e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Anëtarët e KQZ-së e panë të nevojshme që pas aprovimit të ligjit duhet të ndryshohen edhe rregulloret zgjedhore si legjislacion sekondar./EO