Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BE: Diskutimet për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vetëm në kuadrin e bisedimeve në Bruksel

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të premten se “çdo ndihmesë konstruktive në bisedimet e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, është e mirëseardhur”, por çështja mund të trajtohet vetëm në kuadër të këtyre bisedimeve.

Zëdhënësi Peter Stano i bëri këto komente pasi një ditë më parë kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se i ka dorëzuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një “projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Ai tha se për këtë e ka vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, si dhe palën amerikane.

Zëdhënësi Stano që nuk foli për projektin apo përmbajtjen e tij, tha se ishte në plan që me 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i hartimit të projekt statusit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat që më parë, por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, u desh të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua.

“Bashkimi Evropian si lehtësues i bisedimeve është gati të organizojë së shpejti seancën e hartimit të statutit dhe është në kontakt me të dyja palët”, tha zëdhënësi Stano.

Kryeministri Rama tha të enjten se dokumenti i ofruar prej tij është ‘konfidencial’ dhe nuk është konsultuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për këtë çështje.

Qeveria e Kosovës as të premten nuk e komentoi nismën e kryeministrit Rama, ndërsa opozita u paraqit me qëndrime të ndara. Një pjesë e saj e vlerësoi atë, kurse pjesa tjetër tha se hartimi i projektit të statutit të Asociacionit i takon vetëm qeverisë së Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters të premten se “Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, Rama ka propozimin e tij për Asociacionin, disa Organizata Joqeveritare kanë propozimin e tyre për Asociacionin, por asnjë prej tyre nuk ka të drejtë të bëjë propozime. Ai propozim është bërë nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”.

Me 2 maj në Bruksel u paraqit një projekt statut i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë.

Por ai u refuzua nga kryeministri i Kosovës, i cili e cilësoi të “papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”. Në vend të tij ai tha se ka propozuar me një projekt pikëpamje se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Çështja e Asociacionit është Thembra e Akilit në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Palët në vitin 2013 u morën vesh për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.

Shtetet e Bashkuara thanë se Asociacioni është mundësi për të ulur ndikimin e Beogradit në veri të Kosovës dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, duhet ta themelojë Asociacionin.

Zotimi për themelimin e tij u përtëri në marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit më herët gjatë këtij viti në një përpjekje perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thirrjet për themelimin e Asociacionit u shtuan pas krizës së fundit në veri të Kosovës bashkë me shqetësimet për ripërtëritje konfliktesh në rajon./VOA