Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qeveria e Kosovës refuzon zyrtarisht Ramën: S’duam negociatorë

Qeveria e Kosovës ka refuzuar zyrtarisht, draft statutin e propozuar nga kryeministri Edi Rama, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të vendit.

Në reagimin e parë zyrtarë nga zyra e kryeministrisë së Kosovës për mediat vendase, theksohet se Kosovës i nevojitet mbështetja e Shqipërisë dhe jo ndërmjetësimi me Francën apo Gjermaninë ku Rama ka dërguar draftin e propozuar.

“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj. Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiçit që synonte një Republikë Serbe në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për “Botën Serbe. Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.

Ndërkohë kujtojmë se ditën e djeshme kryeministri Edi Rama tha se i ka dorëzuar presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholtz një draft-propozim për formimin e asociacionit, duke e konsideruar atë si nyjen gordiane mes Kosovës e Serbisë. Të gjithë këtë lëvizje Rama tha se e bëri pa u konsultuar me Kurtin.

“Dje i kam përcjellë Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz një draft të asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni dhe Presidentin e KE dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë. Kjo ditë kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës jo i Serbisë, palët nuk po merren dot vesh se kush do ta shkruajë këtë tekst. Natyrisht ky është një dokument konfidencial i cili padiskutim nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër se asociacioni është pjesë e organizimit të jetë në Republikën e Kosovës. Uroj dhe shpresoj që ky material të vlejë për të çuar në një tjetër nivel dialogun dhe t’i bëjë palët që të flasin për gjëra konkrete dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”, u shpreh Rama dje.

Por ky propozim nga ana e Ramës nxiti reagime të shumta si nga Kosova dhe Shqipëri, shumica prej tyre negative. Madje kishte shumë nga ata që e akuzonin kryeministrin Rama se me propozimin e draftit, po mbante një qëndrim pro Serbisë.

Nga ana tjetër, këto sulme Rama duket se nuk i kapërdiu dot dhe sot vendosi të reagonte ndaj tyre, duke i sulmuar të gjithë. Me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”, ai tha se të gjithë ata që dalin kundër propozimit të tij kanë frikë se u bie alibia e luftës.

“Ata që shajnë e akuzojnë pa e ditur fare çka përmban draft-Statuti i Asociacionit kanë frikë vetëm nga një gjë: Se mos humbasin armikun që u krijon kushtin ekzistencial që të flasin dhe të sillen si në llogore, ndërkohë që lufta ka mbaruar në 1999 dhe armiku është mundur”, shkruante Rama në “Twitter”.

Por ajo që vlen të theksohet është se me këtë përgjigje nga ana e qeverisë së Kosovës, duket se krisja e marrëdhënieve mes Tiranës zyrtare dhe Prishtinës futen në një krizë të re, në një kohë kur bashkëpunimi mes tyre duhej të ishte në kulm.