Në kulmin e debatit për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe në veri, e mërkura e 14 Qershorit do të bëjë bashkë qeveritë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.
Takimet zyrtare nisin në orën 11:00 me mbërritjen e delegacionit të qeverisë shqiptare dhe më pas Kryeministrit Rama.
Pas himneve të dy shteteve në orën 11:30 do të nisë edhe hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive, me logon “Të përbashkuar në Gjakovë”, ku pritet të nënshkruhet edhe disa marrëveshje ndërqeveritare.
Ajo që pritet me interes është dalja në konferencën e përbashkët për shtyp mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, ku padyshim vëmendja e mediave do jetë çështja e Asociacionit dhe dokumenti konficencial që kryeministri Rama ia ka përcjellë Presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Scholz, dy prej kumbarëve të propozimit franko-gjerman.
Kryeministri Rama në një dalje të posaçme për mediat tha se për përmbajtjen e dokumentit konfidencial nuk është konsultuar me Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin Vuçiç, ndërkohë që qeveria e Kosovës nuk ka reaguar ende zyrtarisht.
Gjatë qëndrimit në Gjakovë në orën 14:00 përfaqësues të dy qeverive do të zhvillojnë homazhe pranë Lapidarit të Dëshmorëve, e më pas do jenë pjesë e një dreke të shtruar nga Kryeministri Kurti.
Në orën 16:00 priten edhe takime me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare të Gjakovës, Pejës, Deçanit, Prizrenit, Dragashit, Tropojës, Kukësit dhe Hasit.
Agjenda e mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri – 14 Qershor
11:00 – Mbërritja e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë
11:15 -Mbërritja e kryeministrit Edi Rama
11:30 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë –Shqipëri
12:45 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare
13:15 – Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrave Kurti e Rama
14:00 – Homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të Gjakovës
16:00 – Takimi me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare (Gjakova, Peja, Deçani, Prizreni, Dragash, Tropojë, Kukës dhe Has)