Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Petkoviq: Lune nuk ka precedentë penal, nesër në Serbi vjen komandanti i KFOR-it

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë sot se me aksionin e sotëm, kryeministri Albin Kurti, ka treguar se i interesojnë vetëm konfliktet dhe lufta.

Petkoviq tha se me urdhër të kryeministrit Kurti, Milun Milenkoviq ‘Lune’ është arrestuar sot në Mitrovicën Veriore, ndonëse as ai dhe as ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla “nuk e kanë treguar ndonjë provë për këtë”.

“Lune është ndjekur me muaj nga policia e Kosovës për shkak se është luftëtar për interesat serbe dhe të drejtat e serbëve në Kosovë e Metohi. Ai është arrestuar në mesditë në qendër në një sallon flokësh e cila ishte e rrethuar nga tetë autoblinda të Kosovës. Gjatë arrestimit Kurti krijoi një gjendje rrethimi, një numër i madh i automjeteve të blinduara hynë në pjesën veriore të Mitrovicës nga jugu, si dhe pjesëtarë të ROSU-së, të cilët hodhën gaz lotsjellës në drejtim të qytetarëve të Mitrovicës veriore dhe synonin kalimtarët e rastit”, tha Petkoviq.

“Është policia e vërtetë e Kurtit, e cila me sa duket shërben vetëm për të ngacmuar popullin serb në veri. Ky arrestim vjen në kohën kur ata kishin protesta paqësore në Zveçan për shkak të Radoshit dhe Dushanit të arrestuar. Në vend që të lirojë Radoshin dhe Dushanin, Kurti është tani duke arrestuar një tjetër serb”, tha Petkoviq, transmeton teve1.info.

Petkoviq theksoi se Milenkoviq nuk është kriminel, se nuk ka precedentë penalë, “por ka medalje të shumta që i ka fituar si sportist i shquar dhe tani është trajner i klubit të kik-boksit në Mitrovicë, anëtarë të të cilit janë shumë fëmijë të talentuar të cilët tani po fitojnë medalje” tha ai, shkruan portali i radiotelevizionit publik serb.

“Sveçla dhe të tjerët në Prishtinë nuk kanë asnjë provë kundër Lunes, ashtu siç nuk ka asnjë provë Nova.rs, ku thuhet se organizatori i protestës kundër KFOR-it, Milun Milenkoviq Lune, është ndaluar”, ka thënë tutje Petkoviq.

Ai bëri të ditur se nesër në Beograd vjen komandanti i KFOR-it, me të cilin do të bisedojnë presidenti Aleksandar Vuçiq dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Milan Mojsiloviq.

“Për ne është e rëndësishme të bisedojmë me KFOR-in. Është e rëndësishme që KFOR-i të largojë forcat e pranishme ilegalisht të ROSU-së nga veriu i Kosovës dhe Metohisë, të cilat me sa duket synojnë të pushtojnë veriun e krahinës sonë jugore”, tha tutje ai.