Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duket në vështirësi të madhe pasi është nën presion nga ndërkombëtarët të cilët e bëjnë përgjegjës atë për tensionimin e situatës në veri të vendit.
Ai ka vërejtje dhe i shfaq hapur pakënaqësitë e tij. Ndërkohë, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, po ndodh e kundërta – ndërkombëtarët po e mbështesin Kurtin.
Ai ka ardhur në këtë përfundim pasi SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kërkuan Beogradit që t’i lirojë menjëherë policët e kidnapuar të mërkurën në veri të Kosovës.
“Mendova se ai po e bënte i vetëm”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media sot, ku hodhi akuza në drejtim të ndërkombëtarëve. “Tani e di”, vazhdoi ai, duke u shprehur i bindur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka mbështetjen e Perëndimit.
Në fakt, për shkak të qëndrimeve dhe veprimeve të fundit, Kurti si asnjëherë më parë është ‘kërcënuar’ me pasoja konkrete për nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
BE-ja dhe SHBA-ja e kanë shpallur atë fajtor për tensionimin e situatës në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje muajin e kaluar u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se kryeministri i Kosovës s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, katër ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.