Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ambasadorja e SHBA-së: Shkëputja e marrëveshjes me MEK-un i takon Shqipërisë

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, tha se vendimi për ta shkëputur marrëveshjen me Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) ose jo i takon Qeverisë së Shqipërisë.

Kjo deklaratë vjen një ditë pasi, në Kampin e Manzës së Durrësit, Policia e Shqipërisë kreu një aksion, gjatë të cilit mbetën 15 zyrtarë policorë dhe 21 anëtarë të MEK-ut të lënduar. Policia tha se kontrolli u kreu sipas urdhrit të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), por nuk tregoi se për çfarë hetimi bëhet fjalë.

Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Por, Departamenti amerikan i Shtetit doli në përkrahje të aksionit policor të 20 qershorit dhe theksoi se SHBA-ja nuk ofron mbështetje apo trajnime për MEK-un dhe se ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”.

Gjatë një konference për media në përfundimin e misionit të saj diplomatik në Shqipëri, ambasadorja Kim theksoi se Qeveria e Shqipërisë duhet të vendosë vetë nëse do ta shkëputë marrëveshjen me MEK-un, pas aksionit të djeshëm.

“Ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare. Një gjë është e qartë, që ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për t’i zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka gjithashtu kushte të caktuara të cilat zbatohen për çdo lloj mysafiri në vendin tuaj dhe këto duhet të respektohen prej tyre”, tha ajo.

Ambasadorja amerikane vlerësoi edhe ndihmën që dha Shqipëria duke strehuar shtetasit afganë, por edhe qëndrimin që ka mbajtur në lidhje me konfliktin Rusi-Ukrainë.

“Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri s’kanë qenë kurrë më të forta. Kemi bërë progres historik në demokraci, mbrojtje dhe biznes”, theksoi ambasadorja amerikane, duke shtuar se Shqipëria do të jetë aleat i fortë i SHBA-së.

Një theks të vecantë gjatë fjalimit të lamtumirës mori edhe reforma në drejtësi në Shqipëri, për të cilën tha se zbatimi i saj do ta çrrënjosë korrupsionin në vend. Ambasadorja amerikane gjithashtu apeloi që zgjidhja e çështjeve të pronës të jetë në fokusin e politikës dhe autoriteteve vendore.

E emocionuar, ambasadorja Kim e mbylli fjalimin duke vlerësuar edhe mikpritjen që ka gjetur në Shqipëri dhe me thirrjen që të punohet më shumë për të ardhmen e brezave të rinj.

Kim nisi misionin e saj në Shqipëri 3 vjet e gjysmë më parë, ndërsa vendin e saj tani do ta zërë David J. Kostelancik.

Pas largimit nga Shqipëria, ajo do ta mbajë postin e zëvendëssekretares për Çështjet Evropiane në Departamentin amerikan të Shtetit. Në mbyllje të fjalimit dhe konferencës për mediat, Kim tha se “jo të gjithë” do të jenë të lumtur me detyrën e re që ajo do ta marrë në Departamentin Amerikan të Shtetit. /REL