Ish-kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka komentuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe për veprimet e aleatëve perëndimorë.
Ahmeti tha vendimi i presidentit Biden për të zgjatur monitorimin e Ballkanit edhe për një vit, ka ardhur edhe si shkak i situatës në veri të Kosovës.
Ai shtoi se ky ishte i pritshëm pasi në të gjithë botën është e qartë sipas tij se Kosova është një vatër e dytë krize pas Ukrainës.
“Unë mendoj që është vendim i pritur. Në gjithë botën është e qartë që veriu i Kosovës është një vatër e dytë krizë pas Ukrainës.
Këtë nuk e donte asnjë. Kjo nuk është një çështje vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, por e një tavoline të madhe”, u shpreh ai, teksa theksoi se tani i vetmi garant për sigurinë e Kosovës në të ardhmen është SHBA.
Ahmeti foli për deklaratën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimorë, Gabriel Escobar, i cili tha se në Rajon ka liderë që mbijetojnë nëpërmjet krizave.
Sipas tij Escobar e ka pasur për Kurtin dhe Vuçiçin, duke theksuar se presidenti i Serbisë është duke u përballur me protesta si kurrë më parë, mirëpo situata në veri po e favorizon atë.
“Besoj se e ka pasur edhe për Kurtin dhe Vuçiçin. Mos ta harrojmë që Vuçiç po përballet me protesta si kurrë më parë. Në krahun tjetër ai del çdo ditë e flet për Kosovën dhe cënimin e qytetarëve serbë. Ne po e ndihmojë tanimë atë me krizën në veri. Pritet që që Vuçiç të shpallë lëvizjen e tij të re, por ekziston edhe një rrezik që serbët e veriut ta shpallin Asociacion në mënyrë të njëanshme”, tha Ahmeti.