Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gashi: Në momentin e kidnapimit, policët e Kosovës ishin duke drekuar me ata serbë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Milazim Gashi, ka thënë se ka informacione të sakta, se të tre policët e kidnapuar nga Serbia, ishin duke drekuar me policët serbë.

Ai tha se në momentin e kidnapimit të policëve, armët kanë qenë në një pozicion tjetër, teksa shtoi se ata “çdo herë kanë drekuar dhe i kanë ndarë idetë e veta.

“Ne kemi informacione të sakta se si ka ndodhur problemi, për shkak se policët e arrestuar në kufirin e Kosovës, armët i kanë lënë me një pozicion tjetër dhe ata kanë drekuar çdo herë me policët serbë në kufi me Serbi. Çdo herë kanë drekuar, ata kanë ndarë idetë e veta dhe kanë ndenj me vete”.

“Të gjithë policët që janë nëpër brezin kufitar e dinë këtë punë. Çdo polic që gjendet në brezin kufitar e dinë shumë mirë se si funksionojnë me policët e shteteve fqinje për shkak se në Kosovë, në aspektin me Serbinë funksionon sistemi i IBM-it në aspektin kufitar”, ka thënë Gashi.

Tutje, ai tha se policët e Kosovës kanë rënë viktimë e mos ngritjes së shkalles së sigurisë, pasi sipas tij, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dashur ta bëjë një gjë të tillë.

“Armët kanë qenë në një pozicion tjetër dhe ata kanë qenë duke e prerë nga një patlixhan. Ky rast na ka ndodhur edhe para 10-12 viteve, është i njëjti pozicion. Serbia ka ditë të taktizojë elementit e dobësisë së Policisë së Kosovës në brezin kufitar”.

“Ministri i Punëve të Brendshme është dashur ta ngritë shkallën alarmante që Policia e Kosovës, ato komunikime ditore që i ka me policët kufitar, është dashur ta ketë një paralajmërim se ata mund të bien viktimë e një kurthe politike”, tha Gashi.