Forcat ruse kanë goditur caqe civile dhe të infrastrukturës përmes një vale të raketave dhe dronëve të lëshuara gjatë natës, tha ushtria ukrainase mëngjesin e 22 qershorit.
Ushtria shtoi po ashtu se beteja të ashpra po zhvillohen në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, ku Rusia ka intensifikuar sulmet e saj.
Në Krimenë e aneksuar nga Rusia, një urë kyçe që e lidh këtë gadishull me pjesët e pushtuara të Ukrainës në rajonin jugor të Hersonit u dëmtua pasi u godit, sipas zyrtarëve të instaluar nga Moska, me raketa Storm Shadow, të lëshuara nga forcat ukrainase.
Shtabi i Përgjithshëm raportoi se mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar të gjashtë dronët e prodhimit iranianë, por shtoi se një numër i paspecifikuar i civilëve janë vrarë dhe plagosur, pa dhënë më shumë detaje.
Rusia ka lëshuar 44 raketa dhe 47 predha drejt infrastrukturës civile ukrainase, tha ushtria.
Kreu i administratës rajonale ushtarake në Odesa, Sehiy Bratchuk, tha se tre dronë u rrëzuan në jug të Ukrainës, por dronët e tjerë kanë shkaktuar dëme të vogla në rajonin e Odesës.
Pavlo Kyrylenko, kreu i rajonit të Donjeckut tha se një civil është vrarë nga granatimet ruse dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në Çasiv Jar, afër Horlivkës.
Autoritetet në rajonet Krivi Rih, Dnipropetrovsk, Herson dhe Harkiv po ashtu kanë raportuar për granatime gjatë natës. Në Harkiv një person është plagosur, thanë autoritetet.
Që nga muaji i kaluar, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore në mbarë Ukrainën, duke shkaktuar shumë viktima civile dhe duke shkaktuar dëme të mëtejme në infrastrukturën e Ukrainës.
Në fushëbetejë, Shtabi i Përgjithshëm tha se “luftime të ashpra” po zhvillohen në Donjeck, rajon në të cilin mbrojtësit ukrainas kanë zmbrapsur 40 sulme ruse në Liman, Bahmut, Avdijivka dhe Marjinka.
Në rajonet jugore të Zaporizhjës dhe Hersonit, forcat ukrainase kanë vazhduar kundërofensivën e tyre, tha ushtria, duke mos dhënë detaje më shumë lidhur me fazën në të cilën ndodhen operacionet e tyre sulmuese.
Një ditë më parë, autoritetet ushtarake thanë se forcat ukrainase kanë bërë disa përparime në Melitopol dhe Berdijansk të Zaporizhjës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një interviste për BBC, e pranoi se përparimi në kundërofensivë ishte “më i ngadalshëm sa do të dëshironim”, por shtoi se Kievi nuk do të bien nën presion që të përshpejtojë sulmin e saj. /REL