Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti takoi Papa Françeskun në Vatikan: Republika e Kosovës është e përcaktuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Vatikan sot, u prit nga Ati i Shenjtë, Shenjtëria e tij, Papa Françesku.

Në këtë takim të përzemërt, në mëngjesin e ditës më të gjatë të vitit, siç veçoi kryeministri në takim, ai u shpreh falënderues dhe shumë i lumtur për mikpritjen kaq dashamirëse.

Ai tha se Republika e Kosovës është e përcaktuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim. Me Papa Françeskun, biseduan për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë. Kryeministri më tej e njoftoi Atin e Shenjtë edhe për suksesin demokratik dhe ekonomik të vendit, dhe për arritjet e qeverisjes së deritanishme, duke theksuar faktin që jemi qeveria e parë që po ndanë shtesa për nënat lehona dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeç, si politikë mbështetëse për ta.

Për besimin e tij, kryeministri Kurti tha se politika është shërbim, teksa e ftoi Shenjtërinë e tij, Papa Françeskun që ta vizitojë Kosovën, pas rikuperimit të shpejt dhe të mirë nga operacioni kirurgjik që kishte së fundmi.”, thuhet në njoftim.

Ata u pajtuan se duhet që përherë të jemi pranë e me popullin i cili ka nevojë për dashuri dhe drejtësi.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e kryeministrit Kurti në Vatikan dhe takimi i parë i tij me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun.