Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti për takimin në Bruksel: Vuçiq refuzoi të takohej – dhashë prova për rrëmbimin e policëve

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë pas takimit me emisarët e BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, ka deklaruar se gjatë takimit ka dhënë prova për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës që janë duke u mbajtur peng për më shumë se një javë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Twitter, Kurti ka thënë se me Borrell dhe Lajçak ka biseduar konkretisht për de-përshkallëzimin e tensioneve, organizimin e zgjedhjeve të reja në Kosovë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë.

“U takova me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, por me presidentin e Serbisë, i cili refuzoi të marrë pjesë. Unë dhashë prova për rrëmbimin e 3 policëve tanë – të mbajtur për më shumë se një javë – dhe diskutova de-përshkallëzimin, zgjedhjet e reja dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar ai në Twitter.

Po ashtu, Kurti edhe të mërkurën pas takimit para mediave ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar të takohet me të, derisa e fajësoi atë se po tenton të ikë nga zgjidhja e problemit që sipas tij vetë e ka krijuar.

Tutje Kurti, tha se zgjedhje në katër komunat e veriut do të ketë, por sipas tij gjithmonë sipas kornizave ligjore të Kosovës.

Kurti po ashtu, ka thënë se njësia speciale do të largohet nga objektet e komunave, pasi që sipas tij grupet ekstremiste të dalin para drejtësisë.

Kurti: Serbia po ikë nga zgjidhja e problemit, zgjedhje do të ketë por sipas ligjit

“I thashë që policia nuk është në afërsi të godinave është brenda në ndërtesa dhe prania e tia nuk është e dëshirueshme për neve, por është e obligueshme për shkak ekstremistët e dhunshëm që kanë qëlluar te pjesëtarët e KFOR-it, policia dhe gazetarët. Ka pasur granata dore, plumba e revole. Nuk mund ta bëjmë zvogëlimin gradual dhe proporcional të policisë përderisa nuk ka përballje me drejtësinë këta elemente me drejtësinë. Zgjedhje të parakohshme pa dyshim, por ato duhet të kenë zgjidhje ligjore, nuk mund të bëhen jashtë ligjit”, ka thënë ai.

Situata sipas tij është tensionuar për shkak që Serbia nuk e kishte nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit.

Ndryshe, pas takimit Borrell ka thënë se me Kurtin dhe Vuçiq pati më shumë se 4 orë diskutime, dhe se nga Kurti, ka kërkuar që njësia speciale të largohet nga objektet komunale të veriut dhe kryetarët përkohoësisht ta ushtrojnë detyrën në objekte alternative.

Kurse nga Vuçiq, Borrell ka thënë se ka kërkuar që gradualisht të ndikojë në largimin e protestuesve rreth objekteve komunale në tre komunat e veriut.