Të mërkurën më 21 qershor, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Pejë, tre të akuzuarit Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për vrajsen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sahide Gashi.
Tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, “Shtytje në vrasje të rëndë” dhe Armëmbajtje pa leje.
Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, përshkruhet në detaje se si ishte planifikuar vrasja nga të akuzuarit si dhe motivet që i shtynë ata për kryerjen e këtij akti.
Sipas aktakuzës, cak i vrasjes kishte qenë shoferi i autobusit, tani i ndjeri G.Gj. dhe se vrasje kishte ndodhur si hakmarrje, pasi familja Mhmetaj e kishin ka fajësuar atë si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tyre H.M.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Halil, ishte betuar në hakmarrja ndaj tani të ndjerit G.Gj., si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës vajzës së tij në arkivolin e saj vendos orën e tij të dorës.
Po ashtu në aktakuzë përshkruhet se si të akuzuarit e lartcekur në marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi, duke i zënë priten autobusit që vinte nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit dhe pastaj njëri nga ta kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke i lënë të vdekur tre persona.
Aktakuza e plotë e përpiluar nga Prokuroria Themelore e Pejës:
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me datë 5 maj 2023, ngarkon të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, se me datën 26 nëntor 2021, rreth orës 18:58 minuta në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë.
Në aktakuzë thuhet se, pasi që paraprakisht ata kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi dhe duke e ditur kohën e saktë të arritjes së autobusit “Erblini”, nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit në turnin e fundit, të cilin e drejtonte tani i ndjeri G., me nxënës dhe pasagjerë në të.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot merr pushkën automatike AK-47, prodhim shqiptar të kalibrit 7.62x39mm dhe niset në këmbë deri tek vendi i ngjarjes, në krahun e djathtë të rrugës dhe me të vërejtur dritat e autobusit në fjalë, del në mes të rrugës i kthyer më shpinë kah autobusi që po arrinte dhe me qëllim që të njëjtin ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndaloj, bënë sikur është i dehur dhe kur shoferi fillimisht e sinjalizon me drita të gjata e pastaj edhe ulë shpejtësinë i pandehuri Kastriot në distancë prej rreth 6 metrash kthehet në drejtimin e autobusit dhe merr shënjestër shoferin e autobusit tani të ndjerin G.Gj. dhe e godet për vdekje, po ashtu godet për vdekje dhe L.H 17 vjeçar, dhe G.M 17 vjeçare, si dhe i shkakton lëndime të rënda trupore F.T.
Tutje thuhet se i pandehuri Kastriot ka rrezikuar jetën e pasagjerëve tjerë: B.H., A.B., A.Z., B.M., dhe E.O, të cilët ishin në ato momente prezentë në autobus, dhe më pas i njëjti kalon nga krahu i majtë i autobusit, i cili kishte dalë jashtë rrugës, dhe vazhdon në fshatin Shaptej, ku në mes të rrugës ishte duke e pritur me veturë i pandehuri Kreshnik dhe merr rrugën e kthimit pa u hetuar për në shtëpi dhe pastaj shkatërrojnë armën.
Me tej në aktakuzë thuhet se, kjo vrasje kishte ardhur si hakmarrje për shkak të vetëvrasjes së H.M. e cila kishte ndodhur me datën 14 qershor 2020, për të cilin akt familja Mehmetaj e kanë fajësuar tani të ndjerin G.Gj.
Për këto veprime prokuroria ata i ngarkon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.1, 1.5, 1.8, e 1.11, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Tutje në aktakuzës, thuhet se i pandehuri Halil Mehmetaj, nga data 14 qershor 2020, gjerë me datën 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, ka shtyrë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, në vrasjen e tani të ndjerit G.Gj., të cilin para tyre e ka fajësuar si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tij H.M, ku për më tepër thuhet se ishte betuar në hakmarrja, si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës në arkivolin e saj vendos orën e tij të dorës.
Ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”, nga neni 32, lidhur me nenin 173, par.1, nënpar. 1.1, 1.5, 1.8, e 1.11, të KPRK-së.
Gjithashtu aktakuza i ngarkon të pandehurit Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, që në kohë të pacaktuar e gjerë me datën 11 dhjetor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, në shtëpinë e tyre në kundërshtim me nenin 5 par.1, të Ligjit për Armë, mbajnë në pronësi, posedim e kontroll municion, armë e municion, ku në rastin e kontrollit nga ana e policisë, këta të fundit gjejnë dhe sekuestrojnë, 156 fishek të armës “AK-47” të tipit “Kallashnikovë”, një karikator i shkurtë i armës “AK-47”, “Kallashnikovë”, 6 fishek të armës së gjuetisë 12mm, për të cilat është konstatuar se nuk kanë leje nga organet kompetente, si dhe 6 pajisje ushtarake.
Me këtë thuhet se kanë kryer vepër penale “Mbajta në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.