Një polic ka vdekur dhe një tjetër është lënduar rëndë, pasi janë përfshirë në një aksident trafiku në fshatin Rogoqicë të Kamenicës.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ai ka njoftuar se rasti ka ndodhur gjatë ditës së sotme rreth orës 12:20 në fshatin Rogoqicë, në Kamenicë, mes veturës së policisë dhe një veture civile.
“Ju informojmë se sot më datë 26.06.2023, në rreth orës 12:20 ka ndodhur një aksident trafiku te vendi i quajtur ,, Te Tyrbja” në fshatin Rogoqicë, komuna e Kamenicës, në mes të mjetit motorik katërrotësh të Policisë së Kosovës dhe një veture civile”, ka thënë ai.
Sipas zëdhënësit Hashani, në vend ngjarje kanë dal të gjitha njësitet relevante, të cilat janë duke u marrë me rastin dhe se të lënduarit janë transferuar në Spital Rajonal.
“Të lënduarit janë transportuar në Spitalin Rajonal. Nga spitali rajonal jemi njoftuar se njëri zyrtar policor i përfshirë në aksident ka ndërruar jetë si pasoj e lëndimeve të pësuara në aksident. Ndërsa një pjesëtar tjetër i Policisë së Kosovës që ka qenë bashkë në mjetin motorik i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore po trajtohet në qendrën rajonale emergjente në Gjilan”, tha Hashani.