Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Varrosen nëna dhe djali që humbën jetën nga përmbytjet në Pejë

Familjarë, miq, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë, kanë qenë të pranishëm në varrimin e dy viktimave nga Peja, të cilët vdiqën si pasojë e përmbytjeve nga vërshimet në këtë qytet.

Në emër të presidentes Vjosa Osmani, ngushëllime familjarëve u ka shprehur këshilltari ushtarak i saj, gjeneral Sefer Isufi.

Isufi: Lajmi për vdekjen e Mirsada dhe Dion Ademaj ka prekur thellë zemrat e secilit qytetar të Kosovës

“Me dhimbje të madhe kam përgjegjësinë e lartë që në emër të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu të ju lexoj telegramin e ngushëllimit të adresuar nga Presidentja Osmani. Jam thellësisht e tronditur nga lajmi për ndarjen tragjike nga jeta e më të dashurve tuaj, Mirsada Ademaj dhe birit të saj, Dionit. Lajmi për vdekjen e tyre si pasojë e të reshurave të mëdha të shiut dhe vërshimeve e kanë prekur thellë në zemër secilin qytetar të Kosovës”, tha Isufi.

Ndërsa Komuna e Pejës i ka pezulluar të gjitha aktivitetet duke e shpallur sot ditë zie, në nderim të viktimave.

Dy anëtarët e familjes Ademaj nuk arritën t’u shpëtojnë përmbytjeve natën e 24 qershorit kur qyteti i Pejës u përball me vërshime si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.