Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Operacioni antidrogë në Elbasan: 45 të arrestuar, 7 në kërkim

45 persona ranë në prangat e policisë së Elbasanit ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim, në një operacion të gjerë antidrogë.

Në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Elbasanit, Ilir Proda tha se hetimet për këtë operacion zgjatën 3 muaj. Në përfundim të tij u identifikuan 52 persona, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike, prodhim e shitje në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Në operacionin që u shtri në disa qytete të qarkut të Elbasanit (Elbasan, Cërrik, Peqin, Belsh, Librazhd, Prrenjas) si dhe në Pogradec morën pjesë 490 punonjës policie, 5 dronë, u kontrolluan me dhjetëra banesa e lokale, etj. Proda tha se gjatë operacionit, janë sekuestruar kokainë, heroinë, kanabis, armë zjarri, municione, pjesë përbërëse të armëve të zjarrit dhe shuma të mëdha parash.

10 prej personave të arrestuar, sipas kreut të policisë së Elbasanit ishin pjesë e një grupi kriminal, për pasojë është shkatërruar një grup i tërë, dhe janë goditur pjesërisht edhe 3 grupe të tjera.

Proda tha se mes të ndalurve ka “drejtues, anëtarë të grupeve kriminale”. “Janë goditur një sërë shpërndarësish dhe drejtues të grupeve kriminale që merreshin me këtë aktivitet në Elbasan. Disa prej tyre edhe furnizues. Midis tyre ka biznesmenë, ka persona me arsim të lartë po ashtu siç ka me arsim të mesëm apo ndoshta edhe më pak”, tha drejtuesi i policisë së Elbasanit.

Mësohet se të arrestuarit janë kryesisht mbi moshën 20 vjeç deri në 65 vjeç.