Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Turpi ka emër e mbiemër”/ Agim Veliu bën denoncimin e dytë të manipulimeve në procesin zgjedhor të Podujevës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka publikua pjesën e dytë të shkrimit “Kronika e manipulimit të një procesi zgjedhor (2)”

Veliu në këtë shkrim ka thënë se kryetari i zgjedhur i LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni dhe kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku, në Kuvendin e degës futën në listën deleguese, delegatë nga një fshat në zonën e thellë malore në Sylevicë, që tash e disa vite nuk ka asnjë banor dhe ekziston vetëm në hartë.

“Nga nëndega që është shuar nga viti 2006, ekipi i kryemanipulatorit në mes maleve të Sylevicës përmes “kuvendit të dhelprave e lepujve” ia siguruan ‘dokut’ një delegat në degë dhe shefit të tij Lumirit në Kuvendin Qendror, duke e kontrabanduar Bujar Gimollin përmes nëndegës fiktive në Zhiti (në të cilën për shkak të numrit të vogël të banorëve LDK-ja gjithashtu tash e disa vite nuk ka strukturë të organizuar). Për dijeninë e anëtarësisë dhe votuesve të LDK-së, delegati klandestin i dr. manipulatorit dhe Lumirit në zgjedhjet e parafundit të LDK-së u delegua në Kuvend të Degës nga një nëndegë e qytetit, në lagjen ku jeton tash e disa vite. Kësaj radhe, pasi dështoi të përbirohet si delegat në nëndegën e qytetit të cilës i takon”, shkruan Veliu mes tjerash.

Shkrimi i plotë:

Kronika e manipulimit të një procesi zgjedhor (2)

Delegati i kontrabanduar nga fshati i dhelprave dhe lepujve përmes “nëndegës” fiktive të Zhitisë.

Sipas maksimës “qëllimi arsyeton mjetet”, eKremi i Lumirit me bandën e tij, me qëllim të “gjithëpërfshirës” në procesin manipulator të zgjedhjeve në Llap, kaloi çdo limit, duke shkuar deri në absurd.

Guerilja e dr. manipulatorit nuk la dispozitë të Statutit të LDK-së e rregullore pune pa shkelur gjatë procesit zgjedhor. Duke shkelur dispozitën statutore mbi bazën deleguese kontrabanduan për Kuvendin e Degës edhe delegatë nga një fshat në zonën e thellë malore në Sylevicë, që tash e disa vite nuk ka asnjë banor dhe ekziston vetëm në hartë.

Nga nëndega që është shuar nga viti 2006, ekipi i kryemanipulatorit në mes maleve të Sylevicës përmes “kuvendit të dhelprave e lepujve” ia siguruan ‘dokut’ një delegat në degë dhe shefit të tij Lumirit në Kuvendin Qendror, duke e kontrabanduar Bujar Gimollin përmes nëndegës fiktive në Zhiti (në të cilën për shkak të numrit të vogël të banorëve LDK-ja gjithashtu tash e disa vite nuk ka strukturë të organizuar). Për dijeninë e anëtarësisë dhe votuesve të LDK-së, delegati klandestin i dr. manipulatorit dhe Lumirit në zgjedhjet e parafundit të LDK-së u delegua në Kuvend të Degës nga një nëndegë e qytetit, në lagjen ku jeton tash e disa vite. Kësaj radhe, pasi dështoi të përbirohet si delegat në nëndegën e qytetit të cilës i takon. Por, Gimolli – që në kabinetin e Lumirit është i sistemuar me vendim si Shef i propagandës nuk guxonte të mbetej jashtë strukturave dhe ekipit të dr.manipulatorit dhe shefit të tij në Prishtinë, prandaj duhej kontrabanduar, qoftë edhe përmes nëndegës që nuk ekziston.

Ky është vetëm njëri nga shumë delegatë jo legjitim të kontrabanduar në mënyrë kundër statutore në maskarallëkun zgjedhor të onkologut kancerogjen.

“Suksesi” më i madh i dr. manipulatorit me ekipin e tij po del të jetë se në këtë farsë zgjedhore i “populloi” fshatrat e zbrazura tash e disa vite.

Turpi ka emër e mbiemër.

Kronika e manipulimeve të shumta të procesit zgjedhor të LDK-së në Llap ka episode edhe më të errëta se kjo e kontrabandimit të delegatit nga fshati pa banorë.

Anëtarësisë dhe simpatizantëve të LDK-së do t’u ofroj edhe dëshmi e prova të filmuara se si e degjeneruan krejt procesin argatët e Lumirit përmes bandës së dr. manipulatorit për t’ua siguruar votat që ata të qëndrojnë në krye të grupeve të tyre, qoftë edhe përmes mercenarëve, deri në përmbylljen e misionit – zhbërjen e LDK-së.