Drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për zgjerim, Gert Jan Koopman, ka paralajmërua disa nga masat ndëshkuese për Kosovën që pritet të shpallen gjatë javës nga Bashkimi Evropian.
E në lidhje me këto sanksione të BE-së ka reaguar ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.
Ai në një postim në Facebook u shpreh se Perëndimi duhet të sanksionojë shtetin serb, jo Kosovën.
Lauka përmendi disa nga të ‘bëmat’ e Vuçiqit për tensionim dhe nxitje të konfliktit, e që sipasj tij për të gjjitha këto veprime janë në dijeni amerikanët dhe europianët.
“Është Vuçiçi ai që refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit; që nxit falangat serbe të ushtrojnë, sistematikisht, dhunë; që u bën thirrje serbëve të mos integrohen në institucionet e Kosovës; që, sipas skenarit rus, përpiqet ta kthejë Veriun e Kosovës, në konflikt të ngrirë; që bën fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare; që deklaron hapur në Bruksel dhe Uashington se Serbia nuk e njeh, as nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Të gjitha këto “bëma” të Vuçiçit i dinë amerikanët dhe europianët, por reagimi i tyre konstant ka qenë dhe mbetet “po mbajmë shënim””, shkroi ndër të tjera Lauka, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Perëndimi të sanksionojë Serbinë autokratike, jo Kosovën demokratike.
BE dhe SHBA kanë paralajmëruar për sanksione ndaj Kosovës, për gjoja, mosmarrjen e hapave të duhur për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës. E vërteta është se tre kushtet e vëna nga Brukseli dhe Uashingtoni, në thelb, janë pranuar nga KM Kurti. Këtë e dëshmoi edhe sot me paraqitjen e tetë kushteve për shtensionim, respektivisht, katër për Kosovën dhe katër për Serbinë.
Ndryshimi i Kurtit me qasjen e njëanshme perëndimore qëndron në specifikimin e kushteve edhe për Serbinë. Sepse, shkaktari e vërtetë i krizës në veri është Beogradi, jo Prishtina. Është Vuçiçi ai që refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit; që nxit falangat serbe të ushtrojnë, sistematikisht, dhunë; që u bën thirrje serbëve të mos integrohen në institucionet e Kosovës; që, sipas skenarit rus, përpiqet ta kthejë Veriun e Kosovës, në konflikt të ngrirë; që bën fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare; që deklaron hapur në Bruksel dhe Uashington se Serbia nuk e njeh, as nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Të gjitha këto “bëma” të Vuçiçit i dinë amerikanët dhe europianët, por reagimi i tyre konstant ka qenë dhe mbetet “po mbajmë shënim”. Ndërkohë, sanksionohet Kosova, vendi më demokratik e më properëndimor në rajon, shteti që ka arritjet më të spikatura në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit, përgjithësisht në atë që njihet si luftë për shkapjen e shtetit. Ndërsa Vuçiçi dhe miqtë e tij në rajon si KM Edi Rama, shquhen për të kundërtën, kapjen e shteti. I bie që Perëndimi po ndëshkon ata që luftojnë për një shtet me standarde demokratike dhe inkurajon ata me prirje autokratike.
Por ka edhe një ndryshim tjetër në qasjen e Kurtit, në krahasim me atë perëndimore. Uashingtoni dhe Brukseli kërkojnë tërheqjen pa kushte të forcave policore nga Veriu, ndërkaq Kurti e kushtëzon këtë hap me sundimin atje të rendit e ligjit. Sot qeveria e Kosovës shpalli si organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, për shkak të dhunës së ushtruar në Veri, kërcënimin e pronës publike e private, për organizim trazirash, etj.