Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Situata në Veri, PDK e LDK paralajmërojnë veprime për kapërcimin e krizës

Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë paralajmëruar rrugë të re e marrje të vendimeve karshi situatës së krijuar në Veri të vendit, ndërsa kanë adresuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti se po e izolon vendin dhe po sjell sanksione nga jashtë.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka theksuar se kryeministri Albin Kurti po e izolon Kosovën nga jashtë, duke i sjellë edhe sanksione nga aleatët tanë kryesorë, ndërsa po e keqqeverisë nga brenda, duke e vështirësuar mirëqenien dhe jetën e qytetarëve.

Ai ka bërë të ditur se të hënën do të mblidhet Këshilli Drejtues i partisë dhe do të marrin vendime karshi situatës së krijuar.

“Në këtë periudhë sfiduese për vendin, lidershipi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë vazhdimisht në terren duke bashkëbiseduar me anëtarësinë tonë dhe me qytetarë anekënd vendit, të cilët janë të shqetësuar me gjendjen e rëndë në Kosovë. Krahas këtyre mbi 150 takimeve nëpër fshatra e qytete të Kosovës, unë kam zhvilluar takime edhe në Prishtinë me përfaqësues të botës akademike, shoqërisë civile, me akterë të jetës publike, me përfaqësues të mediave, përfaqësues të sektorëve të arsimit e shëndetësisë dhe të shumë sektorëve të tjerë, të cilët janë të brengosur me këtë mentalitet autokratik të qeverisjes dhe me izolimin ndërkombëtar që po e pëson vendi ynë. Pas këtyre konsultave e diskutimeve të shumta, të hënën kam ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, për të diskutuar për gjendjen e rëndë në vend dhe për rrugën që është para nesh. Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar tutje se situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojnë normalitetin.

“Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka deklaruar Krasniqi.

Kurse, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Kurti, nuk e bën dot Kosovën shtet evropian.

Abdixhiku në një postim të gjatë në Facebook ka thënë të enjten se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot, derisa në anën tjetër, Serbia, kurrë nuk ka pasur më shumë përkrahje ndërkombëtare.

Abdixhiku ka thënë se në ditët në vijim do “ta prezantojë planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës”.

Ai ka thënë se duhet ndihma e të gjithë atyre që besojnë në “Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fundamentet bazike të kësaj shoqërie”.

“Kosova ka një rrugë të re. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne.

Për këtë rrugë na duhet ndihma e të gjithëve. E atyre që besojnë në Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fundamentet bazike të kësaj shoqërie.
Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë. Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot.
Kosova mundet më mirë.
Kosova meriton më shumë”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se që nga 26 maji, në veri të vendit ka pasur tensione, pasi serbët lokalë nisën protesta kundër hyrjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale të katër komunave veriore. Protestat në fillim qenë të dhunshme e më pas u qetësuan. Situata u përshkallëzua në mes të qershorit kur Serbia kidnapoi brenda territorit të Kosovës tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në një samit të BE-së në Bruksel të premten, është bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm e është paralajmëruar se nëse kjo s’bëhet do të ketë pasoja negative.