Një humbje e madhe është shënuar për bluzat e bardha.
Mjekja dhe profesoresha e njohur Iliriana Shehaj Ruka është ndarë nga jeta, duke lënë pas një dhimbje te të gjithë ata që e njohën dhe patën nderin ta takojnë qoftë dhe njëherë.
Lajmin e trishtë e kanë bërë të ditur përmes një postimi Universiteti i Mjekësisë në Tiranë, të cilët i shprehin ngushëllime familjarëve të doktoreshës dhe të gjithë kolegëve për këtë humbje të madhe.
Në një in memoriam, Universiteti i Mjekësisë shkruan se doktoreshë Iliriana punoi plot pasion dhe me një përshkushtim të admirueshëm.
Që prej vitit 1964 ajo shërbeu si mjeke në Shërbimin e Hematologjisë dhe nga vitit 1967 shërbeu si pedagoge e Fakultetit të Mjekësisë në lëndën e Propedeutikës
Në vitin 1990 pas një shkëputje ajo u rikthye në Shërbimin e Hematologjisë, QSU “Nënë Tereza” dhe si pedagoge e njëkohësisht drejtuese e Katedrës së Semiologjisë Klinike deri me daljen në pension në vitin 2003.
Ajo kontribuoi në edukimin e studenteve të Fakultetit të Mjekësisë si dhe formimin profesional të specializantëve në fushën e Hematologjisë dhe Sëmundjeve të Brendshme. Për të gjithë që e njihnin ajo ishte modeli i mjekut, pedagogut, familjarit dhe simbol i mirësisë e qytetarisë, duke gëzuar respekt tek kolegët, studentët dhe pacientët.
“Ajo karakterizohej nga një disiplinë e fortë profesionale, përkushtim ndaj pacientëve dhe studentëve, por dallohej dhe për shpirtin e saj artistik. Prof. Iliriana është autore e disa teksteve dhe moduleve mësimore, me të cilët studentët e Fakultetit të Mjekësisë studiojnë ende.
Për këto cilësi Profesoresha jonë do kujtohet gjithmonë me respekt.
Me ikjen e saj familjarët humbën njeriun e tyre të dashur, kolegët humbën një mike dhe mentore të mirë.
U prehsh në paqe Prof. Iliriana!
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes”, thuhet ndër të tjera në postim.