Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Komuna e Prishtinës i blen QKMF-së aparatura të reja

PËRGATITI: SARA SHEHU 

Komuna e Prishtinës ka blerë pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, vlera e të cilave është rreth 300 mijë euro. Dorëzimin e tyre e bënë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me drejtorin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, të cilët thanë se synohet ofrimi i shërbimeve sa më cilësore për pacientët e kujdesit primar shëndetësor.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është furnizuar me pajisje të reja mjekësore, të cilat janë investim i Komunës së Prishtinës në vlerë rreth 300 mijë euro.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se këto mjete do t’i përmirësojnë shërbimet mjekësore të cilat ofrohen për pacientët në sektorin primar shëndetësor.

“Kemi marrë tash një numër të madh të aparaturave, të cilat do të shfrytëzojnë në sektorin primar. Gjithë ky transformim i kryeqytetit, i shërbimeve duke u fokusuar në sektorin primar, është duke ndodhur, kemi aparatura me kosto afër 300 mijë euro, e cila do të shpërndahet në QKMF në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Ultrazërat janë shërbimi i pari në sektorin primar në kryeqytet, por edhe gjithë vendin. Do të fillojmë së shpejti që ta bëjmë këtë në të gjitha QKMF. Kjo do t’i ndihmojë shumë gjithë nivelit shëndetësor, për arsye se qytetarët do të mund ta marrin këtë shërbim në sektorin primar, pa pasur nevojë të shkojnë në atë sekondarin apo terciarin për t’i marrë këto shërbime. Kjo është përmirësim i kushteve në të gjitha nivelet. Kjo është risi për kryeqytetin, Kosovën”.

Tutje, ai ka folur edhe për mundësinë e digjitalizimit të QKMF-së.

“Kjo për fat keq, përkundër faktit se si kryetar jam munduar ta shtyj përpara, ne kemi arrit deri te një pikë, por kjo është e ndërlidhur edhe me nivelin qendror në aspektin e SISH-it, i cili ende nuk është i gatshëm, pra duhet ndërlidhur sistemin primar me atë sekondar dhe terciar. Për fat të keq, ende nuk e kemi prej nivelit qendror. Po ashtu, ka të bëjë me çështjen e informatave të cilat janë sensitive, që kemi mundësinë me shty qysh tash, por është e kontrolluar nga niveli qendror dhe për këtë shpresoj së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë të mund ta shtyjmë këtë proces sa më shpejt, sepse mënyra si bëhet sot marrja e informatave është e shekullit të kaluar. Por, jemi duke punuar që ta shtyjmë këtë sa më shpejt. Duhet me pas shtyrje prej nivelit qendror që të na lejojnë edhe ne, i kemi fondet e gatshme”.

Drejtori i shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se do të trajnojnë stafin mjekësor të kësaj qendre për ta kryer shërbimin e ultrazërit.

“Ne po fillojmë për herë të parë, përveç radiologëve që janë në mjekësi primare kanë të drejtë, të bëjnë shërbimeve radiologjike, ne e jemi në proces me Odën e Mjekëve të Kosovës, një projekt që kemi nënshkruar marrëveshje me kryetarin e odës dhe do të zgjidhen persona profesionalistë që kanë të bëjnë me trajnimin e stafit tonë për ultrazë të abdomenit dhe kukave, me qëllim që edhe mjeku familjar të bëjë ultrazërin e abdomenit, mos ta dërgojë menjëherë qytetarin në emergjencë dhe ta ngarkojë atë. Vetëm vitin e kaluar rreth 40 për qind e pacientëve në emergjent kanë qenë prej Prishtinës, dhe me këtë shërbim po mundohemi ta lirojmë emergjencën”, tha Sadiku.

Sipas udhëheqësit të shëndetësisë në kryeqytet, pajisjet e blera janë kryesisht mjete stomatologjike, biokimike e të tjera.