Kryeministri Edi Rama ftoi sot të gjithë të rinjtë e të rejat të specializuar në fushën e teknologjisë që të punojnë për shtetin shqiptar.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të ecurisë së monitorimit të territorit në 6 muajt e parë të vitit nga satelitët “Albania 1” dhe Albania 2”, Rama u premtoi të rinjve paga më të mira dhe konkurruese se në sektorin privat apo edhe krahasuar me Rajonin.
Rama i ftoi të gjithë profesionistët e këtij sektori që të aplikojnë për të punuar pranë shërbimeve qeveritare në sistemet digjitale. Gjithashtu ai tha se brenda disa ditësh do të prezantohet një paketë e re për të rinjtë që të punojnë në fushën e teknologjisë.
Edi Rama: Është një mundësi këtu për t’ju thënë vajzave dhe djemve që janë në botën e teknologjisë se sot shteti është konkurrenti më i fortë në treg për pagat në këtë sektor. Të punosh në agjencitë tona që merren me këto sisteme dhe këtu nuk është çështje njerëzish të botës së informacionit teknologjik, por edhe njerëzish që janë inxhinierë, agronomë, njerëz të diplomuar për ato elementë që lidhen me jo thjesht leximin dixhital por dhe me interpretimin e trajtimin, kanë mundësinë që duke aplikuar të bëhen pjesë e skuadrës së asigut dhe të paguhen më mirë se në çdo kompani private. Është një paketë e re që është bërë gati dhe do kalojë së shpejti që asnjë i ri dhe e re me dije dhe formim në fushën e teknologjisë të mos e shohë as largimin nga Shqipëria, as sektorin privat si dy mundësitë e vetme. Sepse ne jemi këtu për t’ju dhënë dhe ja u kemi garantuar një mundësi të tretë që është mundësia sot për sot më konkurruese dhe në vitet në vijim më optimale. Kush do punojë për shtetin shqiptar për të vënë në përdorim maksimal të gjitha këto sisteme e janë në nivel ekselence do të paguhet më mirë se sa kudo tjetër në rajon dhe patjetër më mirë se kudo tjetër në sektorin privat.