Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Humbi jetën në Dhërmi pas 12 orëve patrullim në det/ “Sinani u vra nga arroganca e drejtuesve për propagandë”

Mbrëmjen e 1 korrikut humbi jetën punonjësi i Policisë Kufitare, Sinan Abilaliaj. 55-vjeçari baba i 3 fëmijëve dhe që sapo ishte bërë gjysh, ka qenë duke patrulluar kur ka filluar të mos ndihet mirë. Ai ka qenë duke patrulluar 12 orë në det pasi kishte marrë turnin në orën 07:00 të mëngjesit dhe do ta dorëzonte në orën 19:00.

Për ngjarjen, qytetarët për JOQ u shprehën se për shkak të mungesës së një moli për ankorimin e mjeteve lundruese, punonjësi i policisë është hedhur nga gomonia duke tentuar të dalë në breg me not.

Ndërkohë gazetarja, Afrovita Hysaj, ka shkruar përmes një postimi në rrjetet sociale se Sinani u vra nga arroganca e drejtuesve për propagandë, nga kushtet mizerabël ku punojnë efektivët e Policisë dhe nga tallja e përbuzja e drejtuesve duke mos i paguar, as rrogë normale e as shpenzime rruge.

Gazetarja Afrovita Hysaj:

Sinani, gati 3 dekada në polici!

Sinan Abilaliaj, 55 vjeç, baba i 3 fëmijëve e së fundmi edhe gjysh.

E nisi datën 1 Korrik herët në mëngjes, për të shkuar në punë në Himarë, në turnin 24 orësh që i niste në orën 8. (24 orë në punë, 1 ditë po një ditë jo)

E kapi orarin, edhe pse Dukati është goxha larg nga Himara, dhe rruga një ditë po një ditë jo, është tejet e lodhshme.

Mungesa e kapacitetit të punonjësve të policisë Kufitare i ka caktuar Sinanit turnin 24 orë, e nga këto….12 orë në det.

Po po, 12 orë në det, pa ndalur e pa u ulur në tokë as 1 minutë.

Me një gomone që nuk është as e Policisë Kufitare, një gomone e sekuestruar që Policia e përdor për vete. Gomone me 1 motorr, e vogël e pa asnjë strehë për pak hije.

12 orë, të përcëlluar në diell, Sinani dhe kolegu i tij.

Me pak ujë të ngrohtë me vete për të pirë…

12 orë, duke kontrolluar vijën bregdetare, duke vendosur gjoba, sepse drejtori kështu i ka porositur prerazi.

Sigurisht, vitin e kaluar Policia Kufitare u bë pikë sulmi pas aksidentit të Himarës, shumë punonjës u shkarkuan…e domosdo drejtori i ri duhet të bëjë figurë të mirë këtë vit.

E sigurisht…ata që u shkarkuan do zëvendësohen nga këta pak punonjës që mbetën.

Ekzaktësisht janë 16 punonjës më pak (1 e 3 e totalit të punonjlsve).

Puna e tyre mbulohet nga Sinani dhe kolegë të Sinanit, edhe pse rroga nuk u ka ndryshuar.

E dini sa lekë merr Sinani? 54 mijë lekë…

Po po, 54 mijë lekë, gjysmën e harxhon për karburantin që i duhet për të shkuar nga Dukati në Himarë, sepse shteti nuk të paguan asnjë shpenzim.

Edhe në datën 1, Sinani qëndroi 12 orë në det, deri sa më në fund ishte koha për të zbritur nga gomonia e improvizuar, në orën 20.00

Stacioni i Policisë nuk e ka një mol ku mjetet lundruese të ankorohen.

Nuk e ka një kalatë, për të ndaluar…dhe drejtori kurrsesi nuk i lejon Policët e Kufirit të përdorin molin privat të plazhit ngjitur, sepse kjo i prish imazhin.

Ndaj Sinanit i duhet të zbres me not.

Zbriti….

Por sapo zbriti, nuk mundi të ngrihet më nga uji.

Sepse 12 orë në det janë shumë!

Temperatura e Himarës ishte e lartë atë 1 Korrik.

Trupi i nxehtë nuk e përballoi dot ujin e ftohtë të detit, ndaj Sinani nuk e lidhi dot gomonen, nuk e shijoi më dot tokën, sepse zemra nuk i mbajti më.

Arrest Kardiak, për shkaqe natyrore- thanë në njoftim.

Por si vdiq vërtetë Sinani?

Sinani u vra!

Nga arroganca e drejtuesve për propagandë.

Nga kushtet mizerabël ku punojnë efektivët e Policisë.

Nga tallja e përbuzja e drejtuesve duke mos i paguar, as rrogë normale e as shpenzime rruge.

Nga padrejtësia e të mëdhenjve që kanë larguar njerzit, i kanë detyruar të braktisin punën, e sot Policia ka mungesa aq të mëdha sa shifrat kalojnë mijërat.

Sinani detyrohej të punonte 24 orë…. 12 orë në det të hapur.

Ashtu si edhe kolegë të Sinanit..

Sepse Policia Kufitare nuk ka staf.

Sepse Policia Kufitare nuk ndërton dot një mol, nuk blen dot një gomone.

Sinani u përcoll, ama gjendja vijon e njëjtë.

As një jetë e humbur nuk po i ndërgjegjëson dot këta drejtues.

Ndoshta Sinanit do i japin një çmim….si këto që dinë të japin këta pas vdekjes.

Ama familjes së Sinanit nuk ia thanë të vërtetën, që Sinanin e vranë, e cdo polic tjetër të kufirit, qarkullimit, rendit….po i vrasin cdi ditë duke i masakruar në pikë të diellit, me kushte çnjerëzore.

Duke i përbuzur me pagën, duke i përndjekur me kërcënime, duke mos u paguar orët shtesë, duke mos u paguar shpenzimet e rrugës, duke mos i vlerësuar dhe respektuar ashtu si kodi i punës thotë.

Po i vrisni siç vratë Sinanin, sepse jeni të pangopur për vete dhe jeni servil të politikës.

Vajzës adoleshente të Sinanit, që pret ta shoqëroj babi për të shkuar për herë të parë në universitet….ik dhe i thoni se si ia trajtuat babain në gjallje dhe i thoni pse babai nuk u kthye më në shtëpi.

Po e bëj sot këtë reagim, sepse prisja që diçka të ndryshojë…ama këtu, si çdo gjë tjetër, lajmi harrohet që ditën e dytë.

Sinani iku, ama familjes së Sinanit i keni shumë borxhe…

Ishalla ky rast nuk përsëritet më, ama cdo ditë po i rrezikoni efektivët siç bëtë me Sinanin.