Gjatë stinës së verës, djegiet nga dielli janë të pashmangshme. Për fat të mirë, trajtimet e tyre janë shumë të thjeshta. Ja disa nga to:
Ujë i ftohtë
Djegia nga dielli është një inflamacion i lëkurës, dhe mënyra më e thjeshtë për ta trajtuar menjëherë, ndërkohë që gjendeni akoma në jashtë shtëpisë është futja në ujë, qoftë det, lum apo liqen.
Bëni kujdes nga pishinat pasi uji me klor mund ta irritojë akoma më shumë lëkurën.
Gjithashtu, shmangni përdorimin direkt të akullit – edhe pse mund t’ju duket tundues përdorimi i tij ndërkohë që lëkura djeg, ai e dëmton më keq lëkurën tejet të ndjeshme nga djegiet e diellit.
Sodë buke dhe tërshërë
Hidhni disa lugë sodë buke në vaskën tuaj me ujë të ftohtë. Qëndrimi në vaskë për 20 deri në 30 minuta ndihmon në përmirësimin e djegieve nga dielli. Gjithashtu, shtimi i një filxhani tërshërë në vaskë ul irritimin e lëkurës dhe e ndihmon atë të rifitojë hidratimin natyral.
Mos e fërkoni lëkurën tuaj, gjatë larjes apo pasi dilni nga dushi/vaska. Vetëm thajeni butësisht me një peshqir.
Aloe vera
Nëse nuk keni një bimë aloe vera në shtëpinë tuaj, duhet ta merrni një. Xheli në brëndësi të kësaj bime sukulente është përdorur për shekuj me rradhë për të gjitha llojet e sëmundjeve, që nga dhimbjet e stomakut deri tek infeksionet renale. Gjithashtu është dhe trajtimi më i mirë për djegiet nga dielli.
Përdorimi i drejtpërdrejtë i xhelit të një gjethe aloe vera mbi lëkurën tuaj ju jep një lehtësim dhe qetësim të menjehershëm nga ndjesia e parehatshme e djegieve nga dielli. Mund të përdorni një xhel aloe vera 100%, që mund ta gjeni në farmaci.
Çaji i kamomilit
Çaji i kamomilit është një nga mënyrat më efikase të trajtimit të djegieve nga dielli. Fillimisht, zieni çajin e kamomilit dhe lëreni të ftohet. Më pas, me anë të një nape, bëni kompresa në lëkurën e djegur nga dielli.
Kujdes: nëse keni alergji nga poleni, nuk duhet ta përdorni këtë trajtim pasi mund të shkaktojë një reaksion alergjik në lëkurën tuaj.
Përdorni veshje të lirshme
Ndërkohë që lëkura juaj po riparon vetveten, sigurohuni të përdorni veshje që nuk ngjiten pas saj. Lëkura është organi më i madh i trupit, lejojeni të marrë frymë lirshëm ndërkohë që shërohet nga një episod traumatik sic është djegia nga dielli. Veshjet me fibra natyrale, si pambuk ose bambu, janë më të përshtatshme pas djegieve.
Pini shumë ujë
Lëkura juaj ka nevojë të rifitojë hidratimin e humbur ndërkohë që ju merrnit rrezet e diellit. Prandaj, nëse nuk i pini 8 gotat e ujit në ditë, djegia nga dielli duhet të jetë një arsye e mjaftueshmë për t’ju detyruar të filloni ti pini ato.
Mos harroni kremin hidratues
Pas trajtimit fillestar, lëkura juaj do të ketë akoma nevojë për përkujdesje. Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni për të parandaluar rrjepjen e lëkurës – është përdorimi i kremit hidratues në zonat e djegura. Përdorni një krem posaçërisht për lëkurë të ndjeshme, për ta irrituar sa më pak lëkurën tuaj.