Luhatjet e motit duket se kanë përfunduar duke i lënë vendin temperaturave përvëluese.
Këto temperatura janë më të papërballueshme sidomos për fëmijët dhe moshat e thyera.
Por vapa e madhe është tepër e rrezikshme sidomos për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.
Si ndikon vapa tek organizmi
Temperatura e trupit nuk duhet të jetë as shumë e nxehtë dhe as shumë e ftohtë.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, nëse temperatura rritet ndjeshëm, proteinat që e mbrojnë organizmin dhe që janë përgjegjëse për çdo proces të tij reshtin së funksionuari.
Trupi i njeriut arrin të përballet me nxehtësinë e lartë në dy mënyra të cilat e stresojnë zemrën.
Rrezatimi
Nxehtësia në trup kalon nga zonat e ngrohta tek ato më të ftohta.
Për sa kohë ajri përreth është më i ftohtë se trupi, organizmi rrezaton nxehtësi në ajër.
Ky rrezatim ndalon që në momentin kur temperatura e ajrit i përafrohet asaj të trupit.
Rrezatimi është një proces që kërkon një qarkullim më të centralizuar të gjakut sidomos në zonën e lëkurës.
Kjo e bën zemrën të rrahë më shpejtë dhe të pompojë më shumë gjak.
Në një ditë të xnehtë, zemra qarkullon dy ose katër herë më shumë gjak në minutë se në një ditë të freskët.
Avullimi
Çdo molekulë djerse që avullon nga lëkura merr me vete nxehtësinë e tepërt.
Në një ditë pa lagështi, avullimi i djersës (një sasi e barazvlefshme me një lugë çaji) e freskon ndjeshëm të gjithë gjakun.
Por kur lagështia rritet në mbi 75%, avullimi i djersës bëhet tepër i vështirë.
Avullimi i djersës rrit presionin në sistemin kardiovaskular.
Djersa merr më shumë nxehtësi nga trupi, bashkë me shumë minerale të dobishme për nervat, muskujt dhe ekuilibrat e lëngjeve.
Kjo e detyron trupin të çlirojë më shumë hormone të cilat e ndihmojnë organizmin të mbajë më shumë ujë dhe të minimizojë humbjen e mineraleve.
Shëndeti i zemrës dhe përballja me vapën
Njerëzit e shëndetshëm arrijnë të kenë një tolerancë më të lartë ndaj ndryshimeve të temperaturave.
Njerëzit që kanë probleme me zemrën kanë një organizëm më të stresuar dhe rrjedhimisht goditen më fort nga vapa.
Zemra tek njerëzit që kanë pësuar një atak e ka më të vështirë të pompojë mjaftueshëm gjak për tu përballur me vapën.
Enët e bllokuara të gjakut si pasojë e kolesterolit kanë një qarkullim të dobët të gjakut në lëkurë.
Kësisoj, truri nuk arrin të dërgojë sinjalet e etjes dhe trupi vuan pasojat.
Si të luftoni vapën
Ekspertët rekomandojnë që njerëzit që kryejnë aktivitet fizik, ta bëjnë atë në mëngjes herët ose në mbrëmje vonë.
Në pikun e vapës, sigurohuni që të qëndroni në një ambient me ajër të kondicionuar, të bëni banjë ose të vendosni kompresa të ftohta nën sqetulla.
Në ditët e nxehta të siguroheni që të pini ujë çdo një orë.
Mos pini lëngje të gazuara, me sheqer, alkool ose kafeinë të cilat përkeqësojnë dehidratimin./Agroweb/
Tags: shendeti i zemresTemperaturat e larta