Ambasada e ShBA-së në Beograd ka reaguar pasi Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është futur në listën e sanksioneve amerikane.
Ambasada thotë se ky veprim nuk ka për qëllim asnjë nga institucionet e Serbisë dhe se është e palëkundur “në përpjekjet për të ekspozuar ata që thellojnë ndikimin e Rusisë në rajon”.
“Ky veprim nuk ka për qëllim asnjë nga institucionet e Republikës së Serbisë. SHBA është e palëkundur në përpjekjet e saj për të ekspozuar ata që janë të përfshirë në aktivitete korruptive dhe destabilizuese që minojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe thellojnë ndikimin keqdashës të Rusisë në rajon. SHBA vazhdon të mbështesë qytetarët e Serbisë në rrugën e reformimit të sistemit gjyqësor, luftës kundër korrupsionit dhe krijimit të një të ardhmeje më të mirë”, thuhet në reagim.