Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Xhavit Haliti për përgjimet e Kusari-Lilës: Pse foli me një person që është në listë të zezë?

 
   

Përgjime të shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila janë publikuar të hënën nga një media në vend.

Në ato përgjime Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Këto incizime thuhet se u bënë në qershor të vitit të kaluar.

Simiq gjatë bisedës ia përmend Kusari-Lilës një komunikim që kjo e fundit e ka zhvilluar me Milan Radojiçiqin.

Për këto përgjime ka folur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.

Haliri ka thënë se për shkarkimin ose jo të Kusari-Lilës, duhet të vendos Vetëvendosja.

“Ju e keni parë që me kërkua shkarkim ne po kërkojmë edhe kryeministrin me shkarku, por ligjërisht nuk e ka të domosdoshme të jep dorëheqje pse ka fol për interesa të caktuara, por problemi më i madh për mu është që ka fol me një person që është në Listë të Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nëse ai ka qenë në Listë të Zezë nuk e di se si do të duhej me interpretu të gjithë ne që pastaj jemi deputetë në Kuvendin e Kosovë pa marrë parasysh të cilës parti. Por, sidoqoftë është çështje e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes që ta vendos dhe ta merr vendimin e duhur për këtë çështje”, ka deklaruar Haliti.

Thotë se janë kundër asaj që ka ndodhë në këto përgjime, por se duhet të pritet se çfarë do të ndodhë më tutje.

Sipas tij, vërtetësinë e përgjimit duhet ta vërtetojnë organet ligjzbatuese.

Derisa shton se nëse të njëjtat nuk kanë qenë të autorizuara, atëherë askush nuk i merr si të mirëqena.

“Nuk muj me thënë që besoj, sepse vërtetësinë e përgjimit duhet ta vërtetojnë organet  ligj zbatuese, organet gjyqësore, prokuroria, por unë konsideroj se nëse nuk ka kas përgjim të autorizuar konsideroj që përgjimet private që bëhen janë shkelje e ligjit, dhe askush nuk i merr për të qena nëse nuk janë të autorizuara nga prokuroria e shtetit”, thotë Haliti.

Milan Radojiçiq, është në listën e zezë të Amerikës, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe në rastin “Brezovica”.