Ndonëse nuk ndodhet në grevë, Rrahman Jasharaj është gjendur sërish në përplasje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kryesindikalisti i punonjësve të arsimit ka akuzuar rëndë LVV-në për “rrënimin e çdo gjëje në Kosovë”.
Ai ka thënë se “nuk ka pështymë sa e meriton ta pështyhet VV-ja”.
“Nuk kam pështymë sa e meriton ta pështyj VV-në. Kjo që është duke bërë Berat Buzhala është heroizëm dhe ai është pishtar që bën dritë në gjithë errësirën e krijuar nga përfaqësues të një pushteti që tenton ta shuajë krenarinë për njerëzit e këtij trualli që në udhëheqjen e urtë të Ibrahim Rugovës dhe nën udhëheqjen e emrave krenarë në luftën e lavdishme të UÇK-së e me mbështetjen e miqve të vërtetë realizuan ëndrrën e brezave për liri dhe që Kosova të bëhet shtet. Adem Jashari, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj dhe gjithë ata eprorë e ushtarë të UÇK-së ia kthyen kahjen historisë bashkë me ne mësuesit e këngëtarët që pendën e këngën e kishim armë në rrugëtimin e kombit për liri”, ka thënë Jasharaj.
Ai, në një reagim në rrjetet sociale, ka thënë se kjo parti në pushtet përmes “më të poshtrit në VV” janë munduar ta nxjerrnin si tradhtar që po udhëheq arsimin në një grevë, ajo tutje ka deklaruar se kjo ishte dita më e rënd në jetën e tij.
“Me plot sakrifica për 20 vite ndërtuam shkolla, rrugë, autostrada, ushtri, ligje, stafe profesionale në administratë dhe polici, që meritonin respekt, por që këta që janë tani në pushtet i shanin, i pështyenin e i gjakosnin. Kjo parti në pushtet përmes më të poshtrit në VV u mundua të më nxjerr si tradhtar që po udhëheq arsimin në një grevë. Atë ditë, që ishte më e rënda në jetën time, qava me lot dhe pësova goditje të rëndë në shëndetin tim e ai i paftyrë (Elvis Hoxha i VV-së), siç janë shumica në partinë e tij, doli e kërkoi falje të pjesshme”, ka shkruar Jasharaj.