Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në pronën e njërit u gjetën 60 mijë euro, sa para kishin deklaruar Mujka e Muzliukaj te Antikorrupsioni

Faruk Mujka, Kryeshef i Ndërmarrjes Ibër-Lepenci dhe Hysen Muzliukaj, këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, janë arrestuar sot nën dyshimet për korrupsion sa kanë qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të Komunës së Mitrovicës. Gjatë bastisjeve të Policisë, në pronën e njërit janë gjetur 60 mijë euro. Por, çfarë pasurie kishin deklaruar Mujka e Muzliukaj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, kur kishin dorëzuar formularët në fund të marsit të këtij viti?

Në formularin për deklarimin e pasurisë që Faruk Mujka ia ka dorëzuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, kishte deklaruar si para të gatshme 690 euro.

Tek pasuritë e paluajtshme, kishte deklaruar dy banesa në pronësi të tij që bashkë kushtojnë 100 mijë euro, banesën e bashkëshortes në vlerë 35 mijë euro dhe një shtëpi në pronësi të përbashkët, vlerën e së cilës e ka deklaruar 200 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, e kishte deklaruar veturën e bashkëshortes në vlerë 4 mijë euro. Tek të hyrat vjetore, Mujka kishte deklaruar pagat nga Ndërmarrja “Ibër Lepenci” në vlerë 2 mijë e 48 euro, mëditjet nga udhëtimi zyrtar dhe nga komisionet në vlerë rreth 3 mijë e 200 euro, si dhe një pagë nga Ministria e Financave në vlerë 300 euro.

Ndërkohë, Hysen Muzliukajsi para të gatshme ka deklaruar 500 euro. Tek detyrimet financiare, Muzliukaj kishte deklaruar një kredi në vlerë 28 mijë e 605 euro, për renovimin e shtëpisë, mobilje dhe fasadimin e saj.

Ndërkohë, tek të hyrat vjetore ka deklaruar pagat nga Ministria e Bujqësisë në vlerë 7 mijë e 18 euro, pagat nga Komuna e Mitrovicës së Jugut në shumë 3 mijë euro si dhe 132 euro nga mëditjet.

Ndryshe, Policia e Kosovës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale e urdhëresë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka kryer bastisjt në dy lokacione, pronë e Mujkës dhe Muzliukajt.

Në njërin prej lokacione, janë gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Mujka dhe Muzliukaj, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.

Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./Gazeta Express