Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë ditës së sotshme ka ndaluar dy persona, Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj.
Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy personat të ndaluar, të pandehurit Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.
Me këto veprime të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës.
Me aktvendim të Prokurorisë Speciale të njëjtit dërgohen në mbajtje për 48 orë.
Po ashtu, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve F.M dhe H.M. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro.