Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Plani me 4 pika i Kurtit që i jep fund tensioneve në veri të Kosovës tmerron serbët

Kosova befasoi ndërkombëtarët, kur qeveria hodhi hapin e parë drejt qetësimit të situatës me Serbinë, duke prezantuar një plan me 4 pika, për uljen e tensioneve në veri të vendit. BE nxitoi të përgëzonte zhvillimin pozitiv, mirëpo, plani jo vetëm që nuk i ka pëlqyer Serbisë, por e ka tmerruar atë, siç tregohet edhe nga raportimet në mediat vendase. Kur e shikon me detaje propozimin e Prishtinës, vërehet se në fakt bëhet fjalë për dy pika: zvogëlimi i prezencës së policisë së Kosovës rreth ndërtesave komunale me 25 për qind dhe zgjedhjet lokale pas verës.

Por siç shkruan gazeta serbe “Blic”, sipas analistëve,“kjo nuk do të çojë në qetësimin e tensioneve sepse asnjë nga kërkesat serbe nuk është përmbushur: tërheqja e plotë e policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë nga veriu i Kosovës, lirimi i serbëve të arrestuar dhe formimi i Unionit të Komunave Serbe”. Pavarësisht kësaj, Kurti ka filluar ta zbatojë atë plan dhe mëngjesin e së enjtes numri i pjesëtarëve të policisë, u ul vërtet me 25 për qind në komunat në veri të Kosovës.

Tërheqja e policëve

Mirëpo, gazeta serbe thekson se kjo nuk nënkupton tërheqjen e atyre 25 për qind të policëve të Kosovës nga veriu i Kosovës, por, siç ka sqaruar Kurti në Kuvendin e Kosovës, ata do të “zhvendosen vetëm brenda objekteve komunale”.

“Kjo do të thotë se Kurti vazhdon me politikën e tij të imponimit të sovranitetit në veri të Kosovës, pasi nuk e ka ndërmend të tërheqë plotësisht policinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë, krahas zgjedhjeve lokale të vjeshtës, ai përmendi gjithashtu vlerësimin e vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe përkrahjen e dialogut të ri”, shkruan media serbe.

“Në këtë imponim të zgjidhjeve të tij, Kurti jo vetëm që mërzit serbët në veri, por edhe opozitën e vendit, ndaj deputeti Mergim Lushtaku i hodhi ujë në Kuvendin e Kosovës”, vazhdon gazeta, duke iu referuar përleshjeve të ditëve më parë, dhe duke ngritur pikëpyetje nëse plani i Prishtinës mund të shkaktojë tensione të reja.

“Truku” i Perëndimit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas gjithçkaje që po ndodh në Kosovë, thotë se “do të pasojë një truk perëndimor”. “Do të shihni një truk të paraqitur nga disa nga perëndimi, që është: “kthehuni dhe flisni normalisht, arrestuam 40 serbë, i kërcënojmë pak se do të vazhdojmë t’i arrestojmë. Askush nuk e di se çfarë do të thotë, por ata po kërkojnë arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë, sepse duhet ta mbrojnë fëmijën e tyre”, tha Vuçiç.

Siç tha ai, në ditët në vijim pret të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për situatën në veri të Kosovës.

Frika e Serbisë

Diplomati Zoran Milivojeviç, tregon se pala prishtinase është e qartë se nuk heq dorë nga politika e saj. “Reduktimi i forcës policore nuk është depërshkallëzim. Depërshkallëzimi kërkon tërheqje të plotë të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, jo ulje të numrit. Po ashtu, Kurti dëshiron të imponojë edhe të drejtën edhe zgjidhjen, pra flet për 20 për qind të këshilltarëve që duhet të paraqesin kërkesa për shpalljen e zgjedhjeve”, thotë Milivojeviç.

Siç thotë ai, Kurti vazhdon të aplikojë mekanizma të forcës në veri, duke mos hequr dorë nga arrestimi i serbëve dhe shpallja e grupeve fantazmë për organizata terroriste.  Siç shkruan media serbe, Milivojeviç beson se bashkësia ndërkombëtare është në anën e Prishtinës.

“Uashingtoni dhe Brukseli e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe pyetja kryesore është nëse sanksionet e shpallura ndaj Prishtinës janë zbatuar. Askush në Perëndim s’e vë në dyshim Kurtin si kryeministër”, përfundon Milivojeviç. Edhe diplomati Vladislav Jovanoviç nuk beson se plani i Prishtinës do të kontribuojë në uljen e tensioneve në veri.

“Ajo që Kurti po ofron tani nuk është e mjaftueshme, për mendimin tim është paliative. Ajo që krijon një atmosferë pasigurie dhe frikë dhe prodhon incidente të herëpashershme është prania e paautorizuar e forcave speciale të Prishtinës në veri. Kjo nuk është në kompetencë të asnjë autoriteti paralel përveç KFOR, i cili është përgjegjës për sigurinë”, përmbyll Jovanoviç.