Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova po kalon nëpër një situatë të rrezikshme ku kërkohen hapa konkret për ta tejkaluar.
Kështu ka thënë Haradinaj pas takimit me kategoritë e ndryshme shoqërore.
“Po kalojmë në një situatë të rrezikshme, kërkohen hapa të guximshëm dhe veprime konkrete. Sot, në kuadër të ciklit të diskutimeve me kategoritë e ndryshme shoqërore, në Kuvendin e Kosovës takuam përfaqësuesit e mediave dhe të shoqërisë civile”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se si subjekt politik e çmojnë rolin e mediave dhe të shoqërisë civile.
“Gjatë një diskutimi shumë transparent, konstatuam edhe njëherë që gjendja në vend që nga shpallja e pavarësisë nuk ka qenë më keqe se sa kjo tani. Kjo situatë e krijuar kërkon hapa të guximshëm dhe veprime konkrete, bashkërisht”.
“Ne si Aleancë e çmojmë rolin e mediave dhe të shoqërisë civile për sensibilizimin shoqëror, para një situate ku Kosova është e sanksionuar nga aleatët kryesorë të pavarësisë tonë”, ka shtuar Haradinaj.
Haradinaj ka paralajmëruar takime të kësaj natyre edhe me sektorë tjerë.
“Do të vazhdojmë edhe me sektorë të tjerë në mënyrë që të dalim nga kjo bllokadë që po kalon vendi, për ta nxjerrur Kosovën nga sanksionet dhe izolimi”, ka përfunduar Haradinaj.