Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ahmeti: Nuk ka pasur lëkundje në raportet me ShBA-në

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti thotë se Kosova me partnerët e saj mund të ketë qasje të ndryshme.

Megjithatë, ai shton se Kosova me ta ka qëllime bazë të njëjta dhe përqafon vlera të njëjta.

“Me partnerët diskutimet janë të hapura dhe sigurisht që kur diskutimet janë të hapura mund të ketë edhe qasje të ndryshme. Ajo që na bën partnerë është që qëllimet bazë i kemi të njëjta dhe i përqafojmë vlerat e njëjta. Tashmë kur situata është shtensionuar dhe kur procesi i dialogut në një formë u rikthye, nuk ka asnjë gjë për të cilën duhet të kemi kontradikta, të bllokohen procese. Përkundrazi kemi bashkëpunim, kemi bashkëpunim të ngushtë. Së fundmi morëm edhe një ftesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i bashkohemi një organizate ndërkombëtare, nisme ndërkombëtare nga ata që ka të bëjë me luftimin e drogave sintetike, për të cilat menjëherë kemi kthyer përgjigje që do t’i bashkohemi. Pra është bashkëpunim i zakonshëm mes partnerëve”, ka thënë Ahmeti.

Sa i përket raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai thotë se komunikimi ka ekzistuar gjithmonë dhe s’ka pasur lëkundje.

“Komunikimi ka ekzistuar gjithmonë. Pra nuk mund të them që kemi rikthim të komunikimit. Komunikimi ka qenë përgjatë tërë periudhës, siç e keni parë edhe në publik. Ka pasur diskutime për çështjet që mund të kemi pasur qasje të ndryshme në nuanca por asnjëherë lëkundje. Partneriteti nuk është rrezikuar asnjëherë”, ka shtuar ai.

“Që nga shpallja e pavarësisë njohjet dhe vendosja e marrëdhënieve bilaterale është bërë me ndihmën e madhe dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët e veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe kjo ka ekzistuar dhe ekziston ende, pra edhe kur flasim për shtete siç janë 5 vendet e BE-së që s’e kanë njohur ende Kosovën. Kjo ka ekzistuar dhe ekziston ende si ndihmë dhe bashkëpunim”, ka deklaruar Ahmeti.