Mjekët që nuk zbatojnë rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor ose haptazi veprojnë në mënyrë të pakujdesshme gjatë dhënies së shërbimeve, duke shkaktuar përkeqësimin e gjendjes së pacientit ndiqen penalisht dhe raste të tilla nuk janë edhe fort të rralla në vendin tonë. Shumë shpesh janë denoncuar këso raste, që dyshohen se ndodhin qoftë në spitale publike apo edhe klinika private.
Dyshime për një rast të tillë janë ngritur nga disa familjarë të një pacienteje që është operuar në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, në fillim të muajit qershor, të cilët po e akuzojnë gjinekologun Fisnik Sinani.
Emri i Sinanit u bë i njohur për publikun muajin e kaluar, pasi i njëjti u arrestua bashkë me dy mjekë të tjerë, lidhur me një rast tjetër dhe i njëjti tashmë ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak.
Por çfarë dihet për rastin e fundit që u denoncua?
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë ditës së djeshme, Sinani është denoncuar në Polici nga disa persona, nën dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Sipas informacioneve të para, personat që e raportuan rastin janë familjarë të një pacienteje, e cila i ishte nënshtruar operacionit në Repartin e Gjinekologjisë, të cilët kanë deklaruar se pas ndërhyrjes në spital, familjares së tyre i janë shfaqur komplikime.
Bazuar në dëshminë e tyre të dhënë para hetuesve policorë, sipas disa kontrolleve që viktima ka kryer më pas, te mjekë të tjerë, pretendojnë se është konstatuar se gjatë operacionit që ka kryer në Spitalin e Prizrenit, ka pasur një gabim nga mjeku.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, për të ftuar në stacion edhe palën që u denoncua, gjinekologun Sinani.
Ndërsa në anën tjetër, akoma nuk është marrë asnjë deklaratë nga vet viktima, për shkak se e njëjta nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për të dëshmuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Gazeta ka kontaktuar edhe gjinekologun Sinani për të marrë një deklaratë lidhur me rastin, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.